Kritika për lojën e Barcelonës, pas fitores ndaj Realit

schedule12:27 - 28 Shkurt, 2019

schedule 12:27 - 28 Shkurt, 2019

Kritika për lojën e Barcelonës edhe pas fitores 3-0 ndaj Realit brenda në Madrid, dhe kualifikimit për në finalen e Kupës së Mbretit. Katalanasit patën fat.

E dinim prej kohësh se nuk ishte dhe nuk është Barcelona e tiki-takës.

Ditët e futbollit të spektakolar janë sot në Mançester, dhe në kombëtaren e Spanjës, me Guardiolën e Luis Enriken, por gjithsesi kjo Barçë e Valverdes vazhdon ta ketë hijen të rëndë.

Jo me dominim të lojës, por me yjet dhe përvojën që e ndihmuan të fitonte 3-0 në “Santiago Bernabeu” dhe të kualifikohej për finalen e Kupës së Mbretit, në dëm të Realit.

Ishin madrilenët e Solarit që bënë lojën dhe humbën raste, me të riun Vinisius hero dhe fajtor, pasi krijoi shumë dhe humbi po shumë.

Tek Barça ishte Ter Shtegen, si gjithnjë “engjëlli mbrojtës” në portë, si dhe Luis Suarez, “djalli” në sulm.

Katalanasit praktikisht shkuan vetëm 3-4 herë në portën e vendasve, dhe shënuan 3 gola.

Luis Suarez në 50’, autogol i Varanit në 69’ dhe penallti e Suarezit me stilin “Panenka” në 73’.

Kuptimplota fotot dhe titulli i gazetës “Marka”: Diferenca mes gabimit dhe mosgabimit, duke paraqitur Vinisiusin të dëshpëruar dhe Suarezin duke festuar.

“AS”: Vinisius luan, Suarezi shënon! Barcelona goditi vetëm dy herë në portë dhe realizoi 3 gola!

“El Mundo Deportivo”: Finale vdekjeprurëse! Barça në finalen e gjashtë radhazi të Kupës pas fitores në “Bernabeu”, pa luajtur mirë!

“Sport”: Zotërit e “Bernabeut”! Tjetër turpërim i Madridit, Barça për herë të gjashtë radhazi në finalen e Kupës!

“Nuk luajtëm një ndeshje të mirë, – pranoi trajneri i katalanasve, Valverde, – në pjesën e parë nuk ditëm të sulmonim, dhe bëmë gabime duke humbur topin në zona të rrezikshme. Sot shënuam 3 gola, pa pasur shumë raste, ndryshe nga çfarë ka ndodhur më parë”.

Trajneri i Realit, Solari, ishte shumë i dëshpëruar.

“Është e vështirë të flasësh për drejtësi dhe ndershmëri në futboll, – tha ai, – në këtë lojë fiton ai që shënon, jo ai që luan mirë. Ne bëmë një paraqitje të madhe në sulm, por nuk I shfrytëzuam rastet. Barcelona bëri më pak, por fitoi. Humbëm me nder, por kjo nuk mjafton”.

Barcelona arrin në finalen e Kupës për herë të gjashtë radhazi, ndërsa do të synojë trofeun e 31-të, në rritje të rekordit.

Reali humbi një tjetër objektiv, pasi La Ligën vështirë se mund ta pretendojë, ndërsa Championsi nuk duket e lehtë që të fitohet me formën e tanishme.

Ndaj Barçës nuk humbi fytyrën, pasi luajti shumë mirë, por tregoi se nuk është një skuadër e madhe, prandaj humbi 0-3./abcnews.al