Kristaps Porzingis shkëlqen në NBA sapo kthehet nga dëmtimi

schedule16:26 - 14 Dhjetor, 2017

schedule 16:26 - 14 Dhjetor, 2017

Një basketbollist nga Letonia po shkëlqen fort në basketbollin amerikan. Nju Jorku është rikthyer tek fitoret falë shtatlartit Porzingis.

Nuk është pak që një 22-vjeçar nga Europa të jetë elementi vendimtar i një skuadre të madhe të NBA-së.
Ja që kështu është për Kristaps Porzingisin dhe Nju Jork Niksin.
Letonezi u rikthye nga dëmtimi dhe pasi e mori veten fizikisht shpërtheu në ndeshjen ndaj Los Anxhelos Lejkërsave.
Fitorja ishte e vështirë, vetëm me 4 pikë diferencë (113-109) edhe pse luhej në Nju Jork, por Porzingis e bëri të vetën.
Shtatlarti 2 metra e 21 centimetra shënoi 37 pikë në 40 minuta në fushë, dominoi tabelat duke kapur 11 topa, dha 1 asist, vodhi një top dhe i bllokoi 5 gjuajtje kundërshtarëve.
Edh atij iu bllokuan 4 gjuajtje, por në fund të fundit luan në NBA, pra është normale që të ndodhë.
“Porzingis po e ngre nivelin e tij si shënues në standardin e një superstari” ishte refreni i mediave amerikane.
Statistikat nuk falin, pasi Porzingis u bë i pari lojtar në historinë e NBA-së që shënon 37 pikë, kap 11 topa në tabela, bllokon 5 gjuajtje, dhe shënon 5 gjuajtje për tri pikë.
Me largimin e Karmelo Entonit, Porzingis po udhëheq me sukses Nju Jorkun duke shënuar mesatarisht 26 pikë për ndeshje, dhe duke pasur saktësi të madhe në gjuajtje, pavarësisht nga distanca.
Letonezi është ndër 7 shënuesit më të mirë të kampionatit, është i dyti më i miri në bllokimin e gjuajtjeve, si dhe është një nga basketbollistët më të vlerësuar gjatë ndeshjeve që ka luajtur deri tani./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!