Eksperti i Marrëdhënieve ndërkombëtare, Ledion Krisafi analizoi mesazhet e sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken në Tiranë, në vizitën e tij të zhvilluar këtë të enjte(15 shkurt 2024).
Në “Ora e Fundit” në ABC News, Krisafi theksoi se vizita e Blinken në Tiranë në një kohë kur situata në botë, por edhe në rajon ka qenë herë pas herë e tensionuar, tregon se Shqipëria është një vend që përçon stabilitet.
“Është një vizitë e rëndësishme, në gjithë këtë zallamahi që po kalon bota, sekretari amerikan i Shtetit gjen kohë të vizitojë Shqipërinë dhe në këtë kuptim është e veçantë. Po ashtu Shqipëria bashkëpunoi ngushtësisht me SHBA veçanërisht në çështjen e Ukrainës. Vetë mesazhi që dha Blinken Shqipëria është i vetmi vend në rajon që rrezaton stabilitet. Pra vizita e Blinken lidhet më shumë me politikën e jashtme. Tek çështja e Kosovës, Blinken nuk u zgjat shumë. Për Kosovën foli më shumë kryeministri Rama dhe nuk mendoj që kjo ishte e rastësishme. Mendoj që të dyja palët i moshuan faktit që dialogu është e vetmja rrugë dhe se Kosova nuk duhet të shkëputet nga marrëdhëniet me aleatët. Blinkeni përmendi Shqipërinë si shembull të marrëdhënieve me SHBA”, theksoi Krisafi.
Nga ana tjetër analisti Ben Andoni, nënvizoi se me rëndësi në këtë vizitë ishte edhe baza në Kuçovë, ndërsa shtoi se kjo vizitë e sekretarit amerikan të Shtetit tregon se Shqipëria është një vend i sigurt.
“Është një vizitë e veçantë sidomos kur pas disa javësh do të kemi inaugurimin e bazës në Kuçovë. Pra e shoh si një vizitë me rëndësi dhe se tregon se Shqipëria është vendi më i sigurt, pra ka një stabilitet që nuk rrezaton tek vendet e tjera. Nuk janë të largëta ditët kur të shohim probleme të brendshme etnike. Pra mendoj që vizita ishte për një konsolidim të marrëdhënieve në rajon. Ndërsa në një reagim në platformën X , Blinken ka vënë fokusin tek lufta kundër krimit dhe reforma në drejtësi. Shqipëria e ka mbajtur barrën e kësaj reforme”, përfundoi ai.
/abcnews.al/

