ROSKOVEC– Një 35-vjeçar ekzekutoi me armë gjahu ish-vjehrrin e tij në fshatin Vidhisht të Roskovecit. Po ashtu ai plagosi edhe ish-vjehrrën si dhe mori peng ish-gruan duke u arratisur nga vendngjarja.
Të afërmit e viktimës thonë se autori Nertil Buzi ka qenë me “arrest shtëpie”, sepse ka tentuar të rrëmbejë vajzën edhe më herët.
Sipas tyre, autori dhe vajza kanë qenë të lidhur dhe kanë bashkëjetuar në Tiranë para disa kohësh.
Të rinjtë siç thonë të afërmit janë ndarë sepse familja e vajzës nuk e pranonte këtë lidhje.
“Jemi kushërinj. Ka ndodhur që në 05:00. Ata kanë qenë të dashuruar, por familjes nuk u pëlqente ndoshta muhabeti. Kanë qenë të dashuruar, por nuk ka pranuar familja. Ka qenë arrest shtëpie ai zotëria që bëri aktin. Ka pasur problemet e tij edhe ai. Ka qenë në arrest shtëpie. Është bërë denoncim nga familja. Donte ta merrte me forcë. Ai ka bashkëjetuar, por janë ndarë. Kanë pasur shtëpi në Tiranë. Ai mund të vras edhe gocën mbase, ne i trembemi një akti të tillë”, thanë të afërmit.



