Policia e Durrësit ka marrë në mbrojtje familjen e Majlind Habibit për shkak se i frikësohet një përplasjes mes familjeve pas zbardhjes së ngjarjes, në Durrës.
ABC News mëson se një patrullë policie është vendosur në zonën ku banojnë familja Habibi dhe Shkoza.
Ndërkohë familja Shkoza ka thënë se autori Majlindi Habibi dhe 33-vjeçari Branko Shkoza ishin shokë prej vitesh. Gjithashtu babai i viktimës, Haxhi Shkoza, ka thënë se autorin e kishte pyetur në lidhje me ngjarjen, por përgjigja e tij ishte se atë ditë nuk e kishte parë Brankon.
Gjithashtu ai ka thënë se autori i kishte shkuar edhe në varrim.
Vrasja u zbardh pas hetimeve intensive. Policia e Durrësit, pavarësisht se nuk gjeti prova dhe as shenja dhune në trupin e 33-vjeçarit vazhdoi hetimet.
Me urdhër të prokurorit të gatshëm, hetuesit e sektorit të krimeve dhe ata të policisë gjyqësore u rikthyen në vendin e ngjarjes. Fillimisht kanë marrë në pyetje disa banorë të zonës të cilët frekuentojnë baret aty pranë.
Këta të fundit kanë konfirmuar se i kishin parë Majlind Habibin dhe Branko Shkozën të shoqëruar në zonë ditën e ngjarjes.
Më pas kanë sekuestruar disa filmime të kamerave të sigurisë të disa bizneseve në zonë ku nga këqyrja e tyre, konfirmuan deklaratat e banorëve se i kishin parë të shoqëruar me njëri-tjetrin autorin e viktimën.
Hetuesit kanë shkuar në banesën e Habibit për ta marrë në pyetje. Fillimisht, ai u ka thënë se nuk e njihte fare 33-vjeçarin dhe as që e kishte parë farë atë ditë. Por, më pas, pasi e përballen me pamjet e fiksuara nga kamerat që dukeshin qartë që shoqëroheshin me njëri-tjetrin, Habibi ka pranuar të bashkëpunojë me policinë.
Fillimisht ka pranuar krimin dhe më pas ka dhënë edhe motivin, ku, sipas tij, viktima i kishte ngacmuar bashkëshorten dhe kjo e fundit i ishte ankuar shpeshherë se 33-vjeçari e bezdiste sa herë që dilte nga shtëpia e saj.