SHKODËR- SPAK dhe Policia e Shkodrës kanë zhvilluar një operacion për goditjen e krimeve zgjedhore në qytetin e Shkodrës.
Sipas policisë, janë kontrolluar gjashtë persona si dhe nëntë automjete, ndërsa janë gjetur lista me emra qytetarësh.
Po ashtu është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një shumë monetare, para, euro si dhe tollona karburanti.
Njoftimi i Policisë:
Punë intensive në bashkëpunim me SPAK, për parandalimin dhe goditjen e krimeve në fushën e zgjedhjeve. U zhvillua në qarkun Shkodër, faza e parë e operacionit policor të koduar “Premtimi”.
Në bashkëpunim me BKH, u zbatuan vendimet për kontrollin personal dhe të automjeteve ndaj 6 shtetasve. Sekuestrohen celularë, para dhe lista me emra qytetarësh që u gjetën këtyre shtetasve.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Finaciare, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në vijim të punës intensive të bërë në të gjithë vendin, për parandalimin dhe goditjen e krimeve elektorale, zhvilluan sot, në qarkun Shkodër, fazën e parë të operacionit policor kundër krimeve zgjedhire, të koduar “Premtimi“.
Në kuadër të kësaj faze u bë ekzekutimi i vendimit të datës 07.05.2025, të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për kontrollin fizik ndaj 6 shtetasve dhe 9 automjeteve të tyre.
Nga kontrollet e kryera në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan 7 celularë, dokumente të ndryshme, një shumë parash (euro dhe lekë) dhe tollona karburanti.
Hetimet në kuadër të këtij operacioni vijojnë.