Ballkan/ Krimet e luftës: Fëmijët që panë vdekjen me sy!

schedule20:20 - 14 Prill, 2021

schedule 20:20 - 14 Prill, 2021

Nga Linda Karadaku

1998-1999, 10.812 shqiptarë të vrarë: Gjakovë 1.022, Skënderaj 984, Gllogoc 804, Rahovec 724, Peja 561, Prishtina 466, Prizren 464, Vushtrri 451, Suhareka 434, Mitrovica 417.
863,000 civilë u dëbuan nga Kosova ndërmjet marsit dhe qershorit të vitit 1999.

80% e personave të zhdukur ishin meshkuj të moshës nga 18 në 40 vjeç. 529 varreza masive. Rreth 20 mijë vajza dhe gra të dhunuara.

45,768 u dëmtuan rëndë dhe 46,414 u shkatërruan. Më shumë se 60 për qind e shkollave u shkatërruan plotësisht. 22 miliardë euro dëme. Belegu është një fshat i Deçanit ku djemtë dhe burrat u ndanë nga gratë dhe u ekzekutuan ndërkohë që vajzat dhe nuset e reja u mbajtën në një stallë bagëtish dhe nuk është e vështirë të imagjinohet se çfarë ndodhi me to.

Naime Mazrekaj thotë: “Kanë thënë gratë me fëmijë ti fusin në këtë anë, kurse vajzat dhe nuset e reja në stallë. ..Kanë ardhur kohë pas kohe, vajzat I kërkonin dhe nuset pa fëmijë. E kam fshehur kunatën nën divan, 11 gra kemi qenë ulur, dhe atë e kemi future poshtë nën divan, vetëm më ka thënë, ime bre, mua më doli shpirti, dhe I kam thënë, më mirë vdis aty se me të marrë këta.”

Naimja tregon sesi Faton Vishajn, 15 vjeç, më i riu i viktimave, ia kanë marrë gjyshes së vet nga prehri. Selim Mazrekaj ishte 12 vjeç në atë kohë dhe forcat serbe I vranë dy vëllezërit, 16 dhe 18 vjeç, dhe babain. Ka mbetur i vetmi djalë në familje.

“Fjalë nuk kam për ta, vetëm vepra. Do kisha ditur çfarë të bëja në ta, hakmarrje.”

Mehmet Mazrekaj është i vetmi i mbijetuar i masakrës së Belegut. Ka dëshmuar në Gjykatën e Hagës për këtë krim të tmerrshëm.

“I kam dhënë shënimet të qarta, të sakta për secilin, çfarë më kanë pyetur atje, sepse shumë pak është folur për Belegun. Askush nuk është interesuar, çfarë krimi, çfarë masakre është bërë në Beleg.”

Mësuesi Mazrekaj thotë se iu është lutur ta vrasin sepse nuk dëgjonte dot klithmat e nxënësve dhe nxënëseve të tij.

“Në këto 20 vite shumë pak jemi marrë me këto, ose nuk jemi marrë hiç. Është fatkeqësi, secili është marrë më shumë me ato përfitimet që i ka dhënë liria e Kosovës dhe mëvetësia e shtetit të Kosovës dhe kanë harruar krimet që janë kryer nga shteti serb, nga popullata serbe, kundër popullatës civile shqiptare,”

Endrit Binakaj ishte 9 vjeç kur ndodhi masakra e Belegut dhe ka parë me sytë e tij sesi i ndanë burrat nga gratë, sesi u nisën për në Shqipëri duke u keqtrajtuar rrugës, sesi ka parë kufoma të ekzekutuar dhe të hedhur në anë të rrugës.

“Pas një kohe ishim mësuar me ato pamje të forcave policore, me ato krisma, më bëhej sikur e kisha mposhtur edhe frikën. Më bëhej që të ndodhte çfarë të ndodhte, vdekja më vinte e garantuar kështu por fati deshi që të shpëtonim që t’I tregonim gjeneratave të ardhshme se çfarë ka ndodhur me të vërtetë.”

Binakaj ka shkruar dy libra për të dokumentuar masakrën e Belegut dhe vazhdon të punojë për të dokumentuar atë që ka ndodhur gjatë luftës. Sepse siç thotë avokati Hodaj, krimet e luftës nuk vjetrohen kurrë! /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!