Krijimi i ushtrisë së Kosovës, Stoltenberg: Nuk është momenti i duhur

schedule13:18 - 14 Dhjetor, 2018

schedule 13:18 - 14 Dhjetor, 2018

Në një reagim pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës të tre ligjeve që çojnë para procesin e transformimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës, kreu i NATO-s Stoltenberg shpreh keqardhje që ky vendim u mor pavarësisht shqetësimeve të shprehura nga NATO.

“Edhe pse transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës në parim janë një çështje e brendshme e Kosovës, ne e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë se nuk është momenti i duhur për një lëvizje të tillë” – thuhet në një deklaratë zyrtare.

Më tej bëhet e qartë se NATO mbështet zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në bazë të mandatit aktual. Por me ndryshimin e këtij mandati, Këshilli i Atlantikut të Veriut detyrohet të rishqyrtojë nivelin e bashkëpunimit të NATO-s me FSK-në.

Më tej sekretari Stoltenberg shton se NATO mbetet e angazhuar përmes misionit të KFOR-it për të mbajtur një ambjent të sigurt në Kosovë dhe për një stabilitet në mbarë Ballkanin Perëndimor. Të gjitha palët, sipas tij,  duhet të sigurohen që vendimi i sotëm nuk do të përshkallëzojë tensionet në rajon. Stoltenberg kërkon qe të gjithë aktorët politikë të fokusohen tek avancimi i reformave dhe dialogu. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s i bën thirrje Prishtinës dhe Beogradit të ruajnë maturinë dhe të vetëpërmbahen nga veprime që mund të çojnë në një degradim të situatës. NATO vazhdon të mbështesë dialogun Prishtinë-Beograd të negociuar nga Brukseli, si e vetmja rrugë për një zgjidhje politike për rajonin. /abcnews.al