Kreu i OBSH: Shpërthimi i koronavirusit jashtë Kinës, shqetësim madh

schedule23:36 - 27 Shkurt, 2020

schedule23:36 - 27 Shkurt, 2020

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom tha se bashkësia ndërkombëtare ndodhet “në një pikë vendimtare” sa i takon koronavirusit dhe se “nëse veprohet në mënyrë agresive tani, mund të parandalohet që të tjerë njerëz të sëmuren e të shpëtohen jetë”.

Ndërkohë, zyrtarët e shëndetit publik në të gjithë botën janë përqendruar në marrjen e masave për të ndaluar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19) që ka infektuar të paktën 82,000 vetë në më shumë se 40 vende, që nga momenti i shfaqjes në Kinë në fund të muajit dhjetor.

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut kanë pezulluar stërvitjet e përbashkëta ushtarake. Uashingtoni lëshoi një paralajmërim të ri lidhur me udhëtimet duke këshilluar qytetarët amerikanë që të shmangin vizitat në Korenë e Jugut, vend që ka raportuar më shumë raste deri më tani pas Kinës.

Autoritetet në Korenë e Jugut njoftuan të enjten 505 raste të tjera, që e çuan totalin e personave të prekur nga virusi në 1766 vetë. Kryeministri japonez Shinzo Abe bëri thirrje për mbyllje të shkollave për disa javë.

Gjithashtu u bë thirrje që njerëzit të shmangin tubimet e mëdha për anulim të ngjarjeve sportive ose zhvillimit të tyre pa spektatorë, në një përpjekje për të parandaluar përhapjen e virusit. Japonia ka njoftuar rreth 200 raste, pa llogaritur më shumë se 700 të tjera që ndodhen në një anije kruz e futur prej javësh në karantinë në Jokohama.

Presidenti i Francës Emmanuel Macron vizitoi të enjten një spital në Paris, ku këtë javë një person humbi jetën si pasojë e virusit. Ai shprehu mbështetje për punonjësit e kujdesit shëndetësor.

Ndërkohë, Danimarka raportoi rastin e saj të parë me koronavirus, bëhej fjalë për një person që ishte kthyer nga një udhëtim në Itali. Kjo pason rastin e parë të raportuar në Brazil, i pari në Amerikën Latine, që gjithashtu ISHTE një person që kishte vizituar Italinë. /abcnews.al