Kreu i Hipotekave: Tre mënyra si abuzohej prona në bregdet

schedule16:26 - 27 Mars, 2018

schedule 16:26 - 27 Mars, 2018

Pas vendimit të qeverisë për pezullimin e përkohshëm të regjistrimit të pronave në bregdet, kreu i Hipotekave, Elion Semanaj, sqaroi tre tipologjitë kryesore të abuzimeve me këto prona. Sipas tij, në shumë raste është shpërdoruar autoriteti dhe kompetencat ligjore nga hipotekat e rretheve përkatëse.

Nga shtimi i sipërfaqes përmes një vendimi gjyqësor që prish vendimin e një gjykate më të lartë, tek bërja pronar trualli të një 10-vjeçari. Këto çudi janë praktika të ndjekura për tjetërsimin abuziv të pronave gjatë vijës bregdetare.

Tre mënyra të ndeshura në rastet e abuzimeve me pronat u bënë të ditura nga kreu i hipotekave, Elion Semanaj.

Elion Semanaj: “Së pari, rasti kur me një vendim gjykate të nivelit më të ulët është rritur sipërfaqja e pasurisë me plot 20 hektarë, kur pasuria dhe sipërfaqja janë përcaktuar dhe regjistruar më përpara me një vendim të Gjykatës së Apelit. Ky veprim është kryer në bashkëpunim me zyrën vendore, e cila nuk ka ankimuar vendimin dhe nuk ka paraqitur provat e nevojshme pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë. Gjithashtu kjo ka sjellë rritjen e sipërfaqes në favor të spekulantit duke dëmtuar rëndë interesat e shtetit”.

Mënyra tjetër e abuzimit me pronat e konstatuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ishte kur njësia administrative vendore konfirmonte Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi bazuar në ligjin 7501 për një minoren.

Elion Semanaj: “I njëjti minoren, pasi ka përfituar tokë buqësore në tokën e babait të tij, ka përfituar edhe një AMTP të vetën si kryefamiljar, kur në momentin e përfitimit, sipas ligjit, ka qenë vetëm 10 vjeç”.

Rasti i tretë i tre tipologjive kryesore të abuzimit ishte ndryshumi i zërave kadastralë për llojin e pronës nga ranishte e kënetë në tokë bujqësore.

Elion Semanaj: “Këto korrigjime dhe lëshime të pasurisë janë kryer vetëm me akte të lëshuara nga njësitë administrative, ku kompetentë për të konfirmuar zërin kadastral në çdo rast është Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës në qark”.

Sipas kryeregjistruesit Semanaj, të gjitha gjetjet abuzuese do t’i referohen task forcës së ngritur pranë kryeministrit dhe organeve ligjzbatuese./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!