Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë: Të miratohet ligji anti-ryshfet, ka shkelje të rënda me prokurimet publike

schedule11:12 - 27 Qershor, 2022

schedule 11:12 - 27 Qershor, 2022

Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço në një konferencë ditën e sotme ka folur për klimën e biznesit në vendin tonë. Jaço tha ndër të tjera se në 2021, ka pasur një rritje të investimeve amerikane me 62 milionë euro. Ai bëri të ditur se investimet amerikane në rajon i kryeson Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Duke u ndalur tek efektet e krizës si pasojë e luftës në Ukrainë, Jaço tha se në 4 vitet e fundit, ka rënie besimi të bizneseve në terrenin ekonomik.

“Në 4 vitet e fundit, rënie besimi e bizneseve në terrenin ekonomik. Shqipëria ka në dorë përmirësimin e klimës”, tha ai.

Jaço shpreh se i kanë dorëzuar qeverisë Axhendën e Investimeve me 40 ndërhyrje ligjore. “Zbërthimi teknik, pjesa më e mprehtë e procesit. Të krijohet një strukturë e përmirësuar për Tërheqjen e Investimeve”, u shpreh ai.

Jaço tha se parlamenti duhet të miratojë një ligj anti-ryshfet, ku të përfshihen zyrtarët e lartë dhe të mesëm. Ai tha se ka shkelje të rënda në prokurimet publike.

“Propozojmë miratimin në Parlament të një paketë anti korrupsion, kjo paketë ka për qëllim parandalimin e korrupsionit në organet ligjvënëse që kanë karakter prapaveprues. Në kushtet e Shqipërisë duhet të jemi sa më konservatorë kemi pasur shkelje të dukshme, raste korruptive, të jemi sa më konservatorë e jo liberalë për standartet e prokurimeve”, u shpreh Jaço.

Kreu i Dhomës Amerikane tha gjithashtu se sistemi i taksave, nuk duhet të ndryshojë çdo vit.  “3 nga 4 parimet e Dhomës nuk janë përmbushur. Ligji i ri nuk përmbush standarde ndërkombëtare të kontabilitetit”, tha ai. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!