TIRANË- Kreditimi vijon të ketë ecuri optimiste në muajt e parë të këtij viti.
Nga të dhënat rezulton se në periudhën janar-prill 2025 bankat kanë aprovuar 129.7 miliardë lekë, që rezulton të jetë shuma më e madhe për këtë periudhë në vitit e fundit.
Kryesojnë huatë e dhëna për bizneset sidomos për investime të ndryshme. Kjo tendencë e re u analizua në emisionin “Money Report” nga ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi, e cila u shpreh se ekonomia e vendit po performon mirë.
Ajo veçoi sektorin e turizmit, i cili në pikëpamjen e saj po rrit investimet duke iu përgjigjur kërkesës së tregut.
“Ekonomia po performon mirë, sidomos sektori i turizmit. Shumë bizneset duhet të rrisnin investimet dhe cilësinë e shërbimit. Strukturat duhet të rinovohen dhe të përshtaten dhe të jenë sa më të këndshme në pjesën e arredimit dhe jo vetëm. Turizmi po zhvillohet paralelisht dhe kjo po çon edhe në çeljen e bizneseve të reja”, tha ajo.
Por sa i takon rritjes së huave nga bankat, ekspertja thekson se krahas zhvillimit të ekonomisë, kjo e dhënë tregon se qytetarët shqiptarë po edukohen më mirë nga ana financiare.
Sipas saj, shqiptarët në tërësi po manifestojnë sjellje për të patur sa më shumë kursime dhe kjo vjen për shkak se të ardhurat e tyre janë të qëndrueshme.
“Ne kemi rritur edukimin financiar. Tendenca e individëve që t’i drejtohen bankave si për kredi konsumatore është rritur. Shqiptarët kanë arritur në një moment, që financat e tyre po i menaxhojnë mirë. Kredinë e marrin për shkak të ardhurave të tyre të qëndrueshme. Kemi një stabilitet edhe falë mirëmenaxhimit. Konsumi në vazhdim, nuk është se do ketë një fuqi të rritjes së blerjeve, shqiptarët në të ardhmen do jenë të prirur të kenë disa kursime. Fuqia blerëse themi se do jetë në të njëjtin nivel”, u shpreh ekpertja e ekonomisë/abcnews.al