Ekonomia shqiptare është mbështetur me më shumë kredi gjate këtij viti. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia e re e akorduar nga bankat gjatë periudhës, ishte rreth 200 miliardë lekë ose 2.5% më shumë sesa kredia e re e raportuar gjatë gjashtëmujorit paraardhës dhe 12% më e lartë së një vit më parë.
Fluksi i kredisë për sektorin e individëve për gjashtëmujorin rezultoi 70 miliardë lekë, nga rreth 50 miliardë lekë në gjashtëmujorin paraardhës. Rritja vjetore ka ardhur kryesisht si pasojë e rritjes së fluksit të kredisë së re të marrë nga individët për blerje pasurish të paluajtshme.
Fluksi i kredisë së re për bizneset ndërkohë ishte 6% më i ulët se vlera e gjashtëmujorit paraardhës Ndërkohë që norma mesatare e kredisë pësoi një rënie të lehtë më e ndjeshme kjo në monedhën europiane.
Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore norma mesatare e interesit për kredinë në të gjitha monedhat ra lehtë në nivelin 6.4%. Nëse vërejmë normën mesatare për kreditë e reja në lekë norma gjatë periudhës ishte 6.8%, duke mos treguar ndryshime të qenësishme për periudhën.
Ndërsa norma mesatare e interesit për kreditë e reja të akorduara në Euro u ul lehtë, nga 6.1% në 5.8% e ndikuar kjo direkt edhe nga kursi i këmbimit. Por pavarësisht këtyre treguesve bizneset dhe qytetarët po preferojnë më shumë kredi në monedhën kombëtare. Edhe në terma vjetorë, ecuria paraqitet e ngjashme, pasi vërehet se peshën kryesore të rritjes e mban kredia e re në Lek, ndonëse edhe kredia në Euro u rrit./abcnews.al

