Grupimi për Partinë Demokratike i ka dërguar sot kryesisë së partisë dy kandidatët që do të sfidojnë Lulzim Bashën në zgjedhjet e 13 qershorit. Siç është raportuar edhe më herët, dy kandidaturat e këtij grupimi janë Edit Harxhi dhe Ibsen Elezi.
Po ashtu, Grupimi për PD-në i ka bërë disa kërkesa kryesisë, që sipas tyre janë të domosdoshme për” garantimin e një gare të ndershme dhe të lirë, pavarësisht kohës tejet të shkurtër.”
Kërkesat janë si vijon:
1) Kryesia e PDSH-së dhe Komisioni Elektoral të vënë në dispozicion të kandidatëve për Kryetarë të PDSH-së, jo më vonë se data 24 maj 2021, listën e plotë të anëtarësisë së PDSH-së.
2) Të rishikohet përberja e Komisionit Zgjedhor dhe atyre në nivel dege, duke përfshirë përfaqësues të kandidatëve për Kryetar.
3) Të hartohet një axhendë e takimeve të përbashkëta të kandidatëve me anëtarësinë, për të shpalosur platformat politike dhe zhvillimin e debatit.
4) Zyra e Organizimit dhe kryesitë e degëve të venë në funksion të kandidatëve për Kryetar të PDSH-së, infrastrukturën dhe burimet administrative për zhvillimin e takimeve të përbashkta të sipërcituara.
Kujtojmë se të enjten, Grupimi për PD-në i kërkoi kryedemokratit Lulzim Basha që të zgjedhjet brenda partisë të shtyheshin në korrik. Sipas tyre, “nxitimi për hapjen e zgjedhjeve nuk ka për qëllim analizën dhe reformimin e partisë, por eliminimin e debatit në radhët e partisë. sb/abcnews.al/