KQZ u jep mandatet 6 deputetëve të opozitës

schedule12:50 - 11 Mars, 2019

schedule 12:50 - 11 Mars, 2019

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mandatuar sot 6 kandidatë të listave emërore të opozitës për vakancat e krijuara në parlament. Tre kandidatë nga PD e tre nga LSI morën mandatet e deputetit.

Rritet numri i opozitës së re në Parlament. 4 deputëtëve të Lëvizjes Socialiste për integrimin do t’i bashkohen edhe 6 kolegë të tjerë.

Ndonëse në parim janë dakort për të mbushur vakancat e krijuara, anëtarët e Komisionit qendror të zgjedhjeve kanë debatuar për renditjen. Përfaqsuesit e mazhorancës kërkojnë që zëvendësimi të bëhet nga i pari në listë i cili në rastin e e listës së Partisë Demokratike është Lulzim Basha.

Me shumicë u vendos që Majlinda Halilaj që duhet të zëvendësonte në listë deputetin e dorëhequr Gent Strazimiri, të merrte në Kuvend karrigen e kryedemokratit Lulzim Basha.

Dy deputëtë të tjerë të Partisë Demokratike që morën mandatin janë Lefter Maliqi në vend të Astrit Veliajt në Berat dhe Ligoraq Karamelo që merr mandatin e lënë nga Klevis Balliu në Korçë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i dha mandatin këtë të hënë edhe 3 deputetëve nga listat e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Viktor Tushaj në Lezhë  zëvendësohet nga Elda Hoti e cila pasi dorëzoi dorëheqjen nga marrja e mandatit paraqiti në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve formularin e dekriminalizimit.

Vendin e Nora Malajt në Durrës do ta marrë Edlira Hyseni, ndërsa në Gjirokastër në vend të Vangjel Tavos vjen Ediola Braha.

Përmendja e emrave konkretë e ka futur Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në një debat të gjerë tha kryetari i komisionit Klement Zguri, i cili kërkoi që të mos përmenden emra, por të vendoset numri pasardhës në listën e kandidatëve për deputetë.

Me shumicë votash u rrëzua edhe ky propozim i kryetarit Zguri.

Përveç këtyre 10 deputëtëve, opozita e re që do të përballet me mazhorancën ka në përbërjen e saj edhe tre deputetët që nuk dorëzuan mandatet, Rudina Hajdarin e Myslim Murrizin nga Partia Demokratike e Lefter Kokën nga Lëvizja Socialiste për integrim.

Një tjetër kandidat që ka aplikuar për të marrë mandatin e deputetit është Alban Zeneli, i treti në listën e Partisë Demokratike për qarkun e Kukësit. Zeneli ka dorëzuar në Komisionin qendror të zgjedhjeve formularin e dekriminalizimit.

Të gjithë këta emra kanë thënë se do të kundërshtojnë vendimet e qeverisë që rëndojnë qytetarët. Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama i ka parë si aleatët e rinj për të votuar të gjitha reformat.

Bazuar në Kodin Zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të thërrasë të gjithë kandidatët në listat e partive që vendosën djegien e mandateve. Kandidatët kanë 10 ditë kohë nga momenti i thirrjes për të dorëzuar formularët e vetëdeklarimit. Më pas Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u jep mandatin dhe deputetët bëjnë betimin në Parlament./abcnews.al