Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë certifikoi të premten rezultatet e rundit të parë të zgjedhjeve lokale në 34 komuna.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se rezultatet nuk mund të certifikohen në katër komuna: Shtime, Ferizaj, Podujevë dhe Kllokot, për shkak të ankesave të ngritura.
Për këto ankesa, “presim vendimmarrjen e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ose të Gjykatës Supreme”, tha Radoniqi.
Të premten, Gjykata Supreme refuzoi për herë të dytë ankesën e kandidatit për kryetar të Hanit të Elezit, Rufki Suma, dhe rrjedhimisht në këtë komunë nuk do të ketë proces të rivotimit.
KQZ-ja e certifikoi më pas rezultatin për Han të Elezit, ku në rundin e parë kryetar është zgjedhur Mehmet Ballazhi, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës.
Rezultatet u certifikuan edhe për komunat: Deçan, Gllogoc, Gjakovë, Gjilan, Dragash, Istog, Klinë, Kaçanik, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Leposaviq, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Skënderaj, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Vushtrri, Zubin Potok, Deçan, Malishevë, Junik, Mamushë, Graçanicë, Ranillug, Partesh dhe Mitrovicë e Veriut.
Në bazë të rezultateve përfundimtare, që u shpallën një ditë më herët, 21 komuna do të garojnë në rundin e dytë, ndërsa në 17 komuna fituesi është vendosur në rundin e parë.
Rundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 14 nëntor./REL