Nga sot deri më 9 maj, Shqipëria është në fushatë elektorale. Komisioni Qëndror i zgjedhjeve ka përcaktuar edhe rregullat e pasqyrimit të saj tek 44 Ofruesit e Shërbimeve Mediale Audio-vizuale në gjithë Shqipërinë.
Televizionet duhet të pasqyrojnë fushatën zgjedhore vetëm në edicionet e zakonshme dhe transmetohen në edicionet informative, bazuar në materialet e vëna në dispozicion nga subjektet garuese.
Subjekteve zgjedhore, nuk u vendoset në dispozicion asnjë kohë tjetër transmetimi, përveç reklamave politike. Minutazhi politik i edicioneve, duhet të ndahet në raporte kohore të barabarta, për secilën parti. Janë 37 parti të regjistruara në këto zgjedhje, nga të cilat 10 parti parlamentare e 27 jo parlamentare.
Për reklamat politike, ka dy intervale të mundshme, orari i pasdites, nga ora 15:00 deri në 18:00 dhe orari i darkës, nga ora 21:00 deri në orën 24:00.
Ndahen në dy lloje reklamash. Për subjektet politike, koha e përgjithshme për të cilat duhet të jetë jo më shumë se 90 minuta dhe ajo për kandidatët, e cila s’duhet të jetë më shumë se 140 minuta.
Ndalohet dhënia e çdo reklame zgjedhore pa pagesë, apo çdo lloj forme tjetër e dhurimit të fondeve nga operatorët radiotelevizive.
Për radiotelevizionet të cilat pranojnë reklama me pagesë, gjysmën e kohës totale të reklamës ua vënë në dispozicion falas subjekteve zgjedhore. Kurse koha për reklamat e partive jo parlamentare, s’mund të jetë më shumë se 100 minuta gjatë gjithë fushatës zgjedhore.
Gazetarët e kanë të ndaluar propagandën, komentet ose qëndrimet politike brenda edicioneve informative. Po ashtu, duhet të ruhet baraspesha mes partive politike ose kandidatëve konkurrentë në debate zgjedhore.
Televizionet duhet të respektojnë edhe heshtjen zgjedhore, e cila fillon nga data 10 maj e përfundon në orën 19:00 të ditës së zgjedhjeve.
Tarifat zyrtare të çdo radiotelevizioni janë dorëzuar 5 ditë para fillimisht të fushatës, ndërsa monitorimi ka filluar Autoriteti i Mediave Audiovizive prej datës 10 prill, e do të vijojë deri më 11 maj. Raporti më pas do i dërgohet Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, i cili merr masa administrative nëse konstaton shkelje të rregullores./abcnews.al