KQZ i jep edhe 90 milionë lekë të tjera PS-së

schedule16:01 - 29 Korrik, 2019

schedule 16:01 - 29 Korrik, 2019

Rezultati i Partisë Socialiste në 30 Qershor, ku fitoi të gjitha bashkitë dhe 74 % të këshillave bashkiakë, bën që selia rozë të fitojë edhe para. KQZ i ka shtuar edhe 90 milionë lekë të tjera, ndërsa 28 parti që dolën dobët, duhet të kthejnë paratë mbas.

Nga vota e 30 Qershorit, Edi Rama nuk përfitoi vetëm kontrollin e gjithë bashkive, por edhe para. 500 milionë lekë të vjetër do të jetë “shpërblimi” i Partisë Socialiste  për rezultatin e arritur në këto zgjedhje, ku fitoi 74 % të votave për këshillat bashkiakë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përllogaritur shpërndarjen e fondit prej 650 milionë lekësh për fushatën lokale, dhe rezulton se PS, veç 408 milionë lekëve që kishte marrë paraprakisht, do të marrë dhe 90 milionë të tjera. Por, selia rozë nuk është e vetmja që do të përfitojë fonde shtesë. Bashkë me të janë dhe 7 parti të tjera.

Edhe pse nuk fitoi asnjë bashki, Partia “Bindja Demokratike” e Astrit Patozit ka marrë 23 këshilltarë, ndaj ajo do të marrë 16 milionë lekë shtesë nga buxheti i shtetit. Mes partive që do të kenë fond shtesë është Demokracia Sociale e Pakal Milos, si dhe Socialdemokratët e administruar nga Tom Doshi.

Por 28 parti të tjera duhet të kthejnë pas paratë në KQZ, pasi kanë marrë vota më pak se në zgjedhjet e shkuara.

Shumën më të madhe të parave duhet ta kthejë Fryma e Re Demokratike e Bamir Topit, plot 22 milionë lekë të vjetër. Në listë janë parti të tjera si Balli Kombëtar, Partia Komuniste e Shqipërisë, si dhe Partia Kombëtare Konservatore Albania e Kujtim Gjuzit, e cila edhe pse e ka kryetarin deputet, mori zero vota në 30 Qershor./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!