KQZ: Fletët e votimit që u dogjën në Shkodër erdhën nga Sllovenia

schedule18:45 - 15 Korrik, 2019

schedule 18:45 - 15 Korrik, 2019

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve  hedh poshtë akuzat e Partisë Demokratike lidhur me zëvendësimin e fletëve të votimit pas ngjarjes së ndodhur në KZAZ nr. 6 Vau Dejës. Zëdhënësja Drilona Hoxhaj thotë se fletët e votimit te porositura në Slloveni, kanë kaluar në Pikën e Kalimit Kufitar të Hanit të Hotit, rreth orës 02:00 të mëngjesit të 30 Qershorit. Sipas saj, për shkak se nuk ka punuar sistemi TIMS, janë kryer  procedura të deklarimit të thjeshtuar.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Partisë Demokratike. Nëpërmjet  Sekretarit për Çështjet Zgjedhore Ivi Kaso, selia blu deklaron se fletët e votimit kanë mbërritur në orën 8 të mëngjesit dhe se alibia e mosfunksionimit të sistemit TIMS është qesharake.

Sipas tij, gënjeshtra e KQZ-së del akoma më zbuluar, kur thotë se fletët e votimit janë porositur në 27 Qershor, ndërsa vendimi për këtë porosi është marrë në mbledhjen e 28 Qershorit.

Kaso thotë se ka dy alternativa: Ose Kqz apo dogana të pranojnë se po gënjejnë për llogari të Edi Ramës, ose të dalin para drejtësisë e të shkojnë në burg për shpërdorim detyre./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!