KPK për ABC News: Janë dorëhequr vetëm Llalla dhe Imeraj

schedule16:34 - 8 Mars, 2018

schedule 16:34 - 8 Mars, 2018

ABC News mësoi zyrtarisht nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit se janë vetëm dy subjekte, Adriatik Llalla dhe Besnik Imeraj, ata që kanë paraqitur dorëheqjen tek ky Komision dhe për rrjedhojë për ta është ndërprerë Vettingu.

Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla dhe ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Besnik Imeraj, janë deri tani të vetmit anëtarë të sistemit të drejtësisë që kanë paraqitur dorëheqje para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit .

Pas publikimit të lajmit për ndërprerjen e procesit të Vettingut për ta ABC News pyeti në rrugë zyrtare Komisionin nëse ka emra të tjerë nga radhët e gjyqësorit që kanë paraqitur dorëheqje.

“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ju sqaron se, referuar aneksit kushtetues, subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të japë dorëheqjen nga detyra dhe në këtë rast, procesi i rivlerësimit ndërpritet. Dorëheqja depozitohet në organet përkatëse të subjekteve e më pas në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Për dy subjektet të cilët janë dorëhequr, z. Besnik Imeraj dhe z. Adriatik Llalla, Komisioni ka njoftuar publikisht vendimet për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit”.

Pyetjes tjetër të ABC News se për sa subjekte preken nga ligji “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë ka përfunduar procesi i Vettingut”, Komisioni iu përgjigj:

“Ju informojmë se komisionerët, këshilltarët ligjorë dhe ata ekonomikë po punojnë për të përfunduar listën e subjekteve që kanë përparësi sipas ligjit. Sapo trupat gjykuese të jenë gati, do të nisin seancat dëgjimore me subjektet që po i nënshtrohen rivlerësimit. Procesi i rivlerësimit konsiderohet i përfunduar nga ana e KPK-së, kur trupa gjykuese shpall vendimin dhe vendimi i arsyetuar i njoftohet subjektit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë”.

Gjatë ditëve të fundit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka publikuar arsyetimiun e vendimeve për ndërprerjen e procesit të Vettingut për ish-kryeprokurorin Llalla dhe ish-gjyqtarin Imeraj. /abcnews.al