Komisioni i Pavarur i Kualifikimit rikonfirmoi në detyrë prokuroren e Tiranës, Antoneta Sevdari. Seanca dëgjimore me prokuroren Sevdari u zhvillua dje, pasi kjo prokurore u verifikua me përparësi për shkak të kandidimit të saj në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Sevdari ka rezultuar e pastër në verifikimin e tre komponentëve, pasurinë, figurën dhe aftësitë profesionale.
Sipas raportit të ILDKPI, deklarimi i prokurores Antoneta Sevdari është i saktë. Ajo ka burime të ligjshme pasurie. Pjesë e pasurisë është një tokë are 350 m2 në bashkëpronësi të bashkeshortit dhe familjarëve të tij, ndërsa nga puna e bashkëshortit në emigracion ka një apartament prej 96 mijë euro, me të ardhura të justifikuara.
Në kontrollin e figurës, sipas Drejtorise se Sigurimit te Informacionit te Klasifikuar, prokurorja Antoneta Sevdari rezultonte e përshtatshme për vijimin e detyrës. Edhe në lidhje me aftësitë profesionale u paraqit një raport pozitiv nga Prokuroria e Përgjithshme./abcnews.al