KPA shkarkon nga detyra kreun e kushtetueses, Bashkim Dedja

schedule10:16 - 17 Dhjetor, 2018

schedule 10:16 - 17 Dhjetor, 2018

Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi nga detyra kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Sipas Kolegjit, ai kishte pasuri të pajustifikuar. Vendimi për shkarkimin e Dedjes e lë Gjykatën Kushtetuese me vetëm me një anëtare, por edhe asaj i ka mbaruar mandati që në mars 2017.

Rrjeta e vettingut zuri këtë të hënë kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Ishte një pesëshe gjykuese e Kolegjit të Posaccëm të Apelimit ajo që vendosi përjashtimin e tij nga sistemi gjyqësor.

Vendimi që ndryshoi vendimin e Shkallës së Parë të vettingut, ku Dedja rezultoi kalues, është përfundimtar dhe lë atë pa funksione në gjyqësor për 15 vitet në vijim. Kryesuesi i Kolegjit, Ardian Hajdari, tha se Dedja nuk arriti një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë.

Sipas KPA, kreu i Kushtetueses ka pasuri më të madhe nga sa mund të justifikojë në burime të ligjshme. Për Kolegjit Dedja nuk justifikon pasurinë e personave të lidhur, që e kanë ndihmuar në blerjen e një apartamenti në Tiranë, ka paqartësi në pronësinë e një apartamenti tjetër në Golem, si edhe ka mungesë të burimeve të ligjshme për disa likuiditete në vitet 2011-2015.

Aktualisht Gjykata Kushtetuese ka ngelur me vetëm një anëtar nga nëntë që duhet të kishte. Anëtari i fundit është Vitore Tusha, e konfirmuar në vetting, por që i ka përfunduar mandati në mars 2017. E ndësa ushtron detyrën në tejkalim të mandatit, ajo është pretendente për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Më herët vettingu ka shkarkuar katër anëtarë të Kushtetueses./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!