Kotzias nesër në Tiranë, takon Bushatin për paktin detar

schedule10:33 - 28 Mars, 2018

schedule 10:33 - 28 Mars, 2018

Ministri i jashtëm grek Nikos Kotzias do të takohet me homologun shqiptar Ditmir Bushati këtë të enjte. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme konfirmon për ABC News se axhenda e takimit janë çështjet që priten të marrin zgjidhje, një prej të cilave është edhe marrëveshja për kufirin detar dhe heqjen e ligjit të luftës nga qeveria greke.

Ministri i Jashtëm grek do të ndalojë për disa orë në Tiranë rreth mesditës të së enjtes për të udhëtuar më pas drejt Vjenës konfirmon Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ku do të zhvillojë bisedime me homologun maqedonas për çështjen e emrit të Maqedonisë.

Kjo vizitë vjen 10 ditë  pasi presidenti i Republikës Ilir Meta lëshoi autorizimin për fillimin e bisedimeve mes Shqipërisë dhe Greqisë për ndarjen e “shellfit kontinental”, problemit që ka mbajtur të vështira marrëdhëniet mes të dy vendeve që nga viti 2010. Qeveria aktuale do të duhet të negociojë me Greqinë një marrëveshje të re, e cila do të duhet të ratifikohet dhe dekretohet para se të hyjë në fuqi./abcnews.al