Kotzias flet për çështjet e hapura me Shqipërinë

schedule22:13 - 19 Dhjetor, 2017

schedule 22:13 - 19 Dhjetor, 2017

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, përshëndeti vendimin e palës shqiptare për varrezat greke dhe nënvizoi rëndësinë e abrogimit të ligjit të luftës. Ndërsa theksoi se përcaktimi i hapësirës detare me Shqipërinë është një çështje që duhet të zgjidhet.

Në një emision televiziv, ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias i është rikthyer diskutimit për çështjet e hapura me Shqipërinë por edhe me vende të tjera fqinje si Turqia apo Maqedonia. “Politika aktuale e jashtme ka një qëllim, për të zgjidhur problemet në një mënyrë që i shërben vendit, por pa cënuar palën tjetër”, u shpreh zyrtari i qeverisë së kryeministrit Aleksis Tsipra. Më tej ai konfirmon se koha është në favor të Greqisë për të zgjidhur gjithë problemet me Shqipërinë.

Në emisionin e televizionit “ERT”, Kotzias sqaroi se është “e drejta e Greqisë për të zgjeruar hapësirën e saj detare”. “Greqia e shikon me rëndësi të madhe përcaktimin e EEZ(zonës ekonomike ekskluzive) me të gjitha vendet, veçanërisht me Shqipërinë. Ujërat territoriale, të drejtat dhe interesat tona sovrane janë me rëndësi të madhe për të gjitha palët”, theksoi shefi i diplomacisë së jashtme i Athinës zyrtare.

Në emsionin e televizionit grek, Kotzias nënvizon edhe rëndësinë e abrogimit të ligjit të luftës me Shqipërinë, i cili është ende në fuqi pavarësisht se të dy vendevet janë anëtare të NATO-s. “Çështja kryesore që duhet të zgjidhim pozitivisht është ligji për luftën. Pasojat ligjore do të rregullohen me një procedurë të veçantë”, u shpreh ministri i Jashtëm.
Gjithashtu, kryediplomati i Athinës përshëndeti vendimin e palës shqiptare për varrezat e ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës së dytë botërore./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!