James O’Brien, Ndihmës sekretari Amerikan i Shtetit për Europën dhe Euro-Azinë deklaroi këtë të enjte në një bashkëbisedim virtual me gazetarët se ëashingoni nuk do të lejojë ripërsëritjen e sulmeve të dhunshme në veri të Kosovës. Zyrtari i Lartë Amerikan bëri thirrje që Kosova dhe Serbia të tregojnë kujdes për të mos përshkallëzuar situatën në veri dhe të shmangin veprimet provokuese.
Ndihmës sekretari Amerikan i Shtetit për Europën dhe Euro-Azinë u shpreh se zhvendosja e armeve në Kosovë përgjatë sulmit të 24 Shtatorit, ku mbeti i vrarë efektivi Afrim Bunjaku ishte një ngjarje shqetësuese, por situata tani më është nën kontroll falë prezencës së shtuar të KFOR-it dhe gjithashtu falë bashkëpunimit me Beogradin.
“Komunikimi dhe bashkëpunimi me Beogradin na ka lejuar qe të ketë një qetësim të situatës. Në muajt në vijim presim më shumë transparencë dhe diskutime mbi këtë çështje. Komunikimi është shumë i rëndësishëm, veçanërisht pas ngjarjeve të shtatorit të kaluar ku një grup tentoi të dërgonte një sasi të madhe armatimesh në Veri të Kosovës. Nëse plani i tyre do të kishte funksionuar, diçka e tillë do të sillte përhapje të madhe të dhunës. Mendoj se të dyja palët e kuptojnë se diçka e tillë nuk do të lejohet më që të ndodhë.”, tha ai.
James O’Brien deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë që përgjatë muajve të fundit, sipas tij ka sjellë zhvillime pozitive.
Megjithatë ndihmës sekretari Amerikan i Shtetit për Europën dhe Euro-Azinë iu rikujtoi palëve edhe përgjegjësitë që duhet të marrin për përmbushjen e detyrave të tyre.
“Ka pasur përparime përgjatë muajve të fundit, në lidhje me disa çështje praktike siç janë targat apo mënyrën e lëshimit të dokumenteve doganore që mundëson lëvizjen e lirë të mallrave ndërmjet dy vendeve. Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbushin përgjegjësitë e tyre në kuadër të dialogut.”, shtoi ai./abcnews.al

