Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Mynih të Gjermanisë dy letra të shprehjes së interesit, për autostrada dhe për hekurudha, ku të dyja vendet shprehin gatishmërinë për hapjen e rrugëve ekzistuese, por edhe për ndërtimin e rrugëve të reja që lidhin dy shtetet me rajonin dhe me BE-në.
President i Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur se “ky është mesazhi më i mirë që rajoni do të ketë më tepër paqe, zhvillim ekonomik, vende të punës atë që i duhet njerëzve në Kosovë, në Serbi dhe tërë Ballkanin Perëndimor”.
Ndërsa Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçic, tha se “marrëveshjet që janë nënshkruar janë domethënëse për shkak të lirisë së lëvizjes, lëvizjes së mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe njerëzve”.
Ndërsa ambasdori Grenell ka thënë se marrëveshjet janë nënshshkruar falë direktivave të qarta të Presidentit Donald Trump.
Richard Grenell, I dërguari i SHBA-së për dialogun Kosovë Serbi tha se “tani kemi dy marrëveshje më shumë dhe ajo që unë kam biseduar me të dy presidentët është që të përqendrohemi sa më shumë në zhvillimin ekonomik”.
Kryeshefi ekzekutiv i hekurudhave të Kosovës Agron Thaçi ka thënë se Kosova është e gatshme për linjën hekurudhore Fushë Kosovë-Mitrovicë Leshak-Beograd ndërsa për linjën tjetër hekurudhore Prishtinë-Merdare-Beograd nevoitet investim i tërësishëm i infrastrukturës hekurudhore.
Linja hekurudhore Prishtinë Beograd ishte ndërprerë gjatë luftës së fundit në Kosovë për tu rivënë në funksionë menjëherë pas luftës deri në Leshak kufi me Serbinë nën administrimin e UNMIK-ut për tu ndërprerë sërish në vitin 2008 kur edhe u shpall pavarësia e Kosovës. /abcnews.al