Policia e Kosovës ka nisur hetimet pasi në Mitrovicë të Veriut, persona ende të panjohur, kanë shpërndarë fletushka të ndryshme që bëjnë “thirrje për rezistencë” dhe “nxitje të urrejtjes”. Partia kryesore e serbëve në Kosovë ka thënë se me veprime të tilla, po tentohet të fajësohen serbët “për incidente të reja të mundshme”.
Në raportin e rregullt 24 orësh, Policia tha se fletushkat u shpërndanë në hyrje të ndërtesave dhe në rrugë të ndryshme.
Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha për Radion Evropa e Lirë tha se dyshohet se këto fletushka u shpërndan “dje gjatë dhe pas protestës”.
“Nuk ka të dyshimtë e as të arrestuar”, tha Elshani.
Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, u bëri thirrje qytetarëve në veri që “të mos bien pre e provokimeve të tilla”.
Sipas kësaj partie, kushdo që i ka bërë këto veprime, ka pasur për synim të minojë paqen dhe të thellojë paqëndrueshmërinë “në mënyrë që serbët të fajësohen për incidente të reja të mundshme”.
Në Mitrovicë të Veriut më 12 shkurt serbët protestuan kundër vendimit të autoriteteve të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit serb për pagesa.