Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë vijuar edhe të enjten aksionin e tyre para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke bllokuar hyrjen në shenjë proteste ndaj mos-thirrjes së vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit.
Aksionit të PDK-së këtë herë iu bashkuan edhe deputetë të Aleancës, si dhe asamblistë të PDK-së nga Komuna e Vushtrrisë. Prej disa ditësh, PDK-ja po zhvillon protesta dhe aksione para Qeverisë, duke kërkuar që të thirret vazhdimi i seancës konstituive dhe të zhbllokohet procesi i konstituimit të Kuvendit.
PDK-ja i ka kërkuar vazhdimisht kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, që të thërrasë vazhdimin e seancës. Partia ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po kontribuojnë në bllokimin e funksionimit të institucioneve.
Edhe Aleanca ka kundërshtuar zvarritjen e procesit të konstituimit të Kuvendit, duke kërkuar që institucionet e Kosovës të rikthehen në funksionalitet të plotë.
Kriza rreth konstituimit të Kuvendit ka vijuar prej disa javësh, ndërsa partitë politike vazhdojnë të përplasen për mënyrën dhe kohën e vazhdimit të seancës konstituive.


