Kosovë, paradë e FSK në 11-vjetorin e Pavarësisë

schedule15:06 - 17 Shkurt, 2019

schedule 15:06 - 17 Shkurt, 2019

Sot në Kosovë kremtohet 11-vjetori i shpalljes së Pavarësisë. Ky përvjetor e gjen Kosovën me Ushtrinë e saj dhe me synimin e politikës së Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Ky është parakalimi i parë i trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës që pas shndërrimit të saj në ushtri. Manifestimi në qendër të Prishtinës zhvillohet në ditën e festës së Pavarësisë së Kosovës.

Trupat ushtarake të shtetit më të ri në Ballkan po demonstrojne forcën, përgjegjësinë, përkushtimin dhe atdhetarinë në këtë parakalim solemn.

Nga tribuna i ndiqnin drejtuesit më të lartë të shtetit të Kosovës, Presidenti Hashim Thaçi, kryetari i Parlamentit Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj dhe mysafirë nga Shqipëria, kryeministri Edi Rama.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, tha se ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë dëshmia më e mirë e suksesit dhe përparimit të Kosovës.

Hashim Thaçi: “Vetëm 11 vjet më parë kemi filluar së bashku rrugën e konsolidimit të Republikës së Pavarësisë së Kosovës. Para nesh sot kemi ushtri profesionale, multietnike e cila është në shërbim dhe në mbrojtje të shtetit më të ri të Evropës. E mirëpresim ditën kur ushtarët e Kosovës bashkë me ushtarët e rajonit do të shërbejnë për ndërtimin e paqes në çdo kënd të planetit”.

Në këtë ditë të Pavarësisë, kreu i shtetit të Kosovës, i shtriu sërish Beogradit dorën e bashkëpunimit në emër të  arritjes së një marrëveshjeje për fqinjësinë e mirë. Por siç u shpreh Thaçi, genocidi serb në Kosovë nuk do të harrohet kurrë.

Hashim Thaçi: “Edhe mund të arrijmë marrëveshje paqësore me Serbinë. Por një gjë nuk duhet harruar. Kurrë nuk do të harrojmë spastrimin etnik, genocidin e serbëve në Kosovë. 13.500 civilë shqiptarë të vrarë, 400 masakra dhe rreth 20 mijë gra të dhunuara nga shteti i Serbisë që edhe sot nuk kanë marrë dënimin e merituar”.

Duke falenderuar të gjitha shtetet që kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, Thaçi tha se Kosova nderon dhe ruan raportet me partnerët strategjikë dhe vendet mike.

Hashim Thaçi: “Synimi ynë është integrimi në Nato dhe në Be. Të ruajmë partneritetin special me SHBA-të dhe të punojmë për paqen dhe zhvillimin në vendin tonë”.

Nga SHBA, miku i Kosovës dhe ish-ambasadori William Walker ishtë i pranishëm në këtë ceremoni, për nder të festës së Pavarësisë së Kosovës./abcnews.al