Pas mbylljes fizike të lojërave të fatit, qeveria e Kosovës ka ndërmend ta ndalojë aktivitetin e tyre edhe me ligj. Kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se së shpejti drafti i posaçëm do të dërgohet në Parlament.
Së shpejti lojërat e fatit do të ndalohen edhe me ligj. Pas miratimit të rezolutës për ndalimin e lojërave të fatit, qeveria ka miratuar projektligjin për shfuqizimin e ligjit për lojërat e fatit. Nëse projektligji si i tillë miratohet edhe në Kuvend, atëherë do të ndalohen të gjitha lojërat e fatit. Në këtë vendim përjashtohet
Ramush Haradinaj, Kryeministër i Kosovës: “Lotaria e Kosovës mbetet pasi ajo është ndryshe. Të gjitha lojërat e tjera të fatit mbyllen. Kur kam thënë që po vij në qeveri për t’i kryer disa punë, ne këtë edhe po bëjmë. Çdo ligj e ka koston e vetë. Edhe ky ligj e ka koston e vet. Sa i përket vendeve të punës, jemi të gatshëm të shohim se çfarë do të ndodhë me ato vajza e djem të rinj që kanë punuar aty. Tash e ka parlamenti pjesën e vetë”.
Ndalimin e lojërave të fatit e ka kërkuar edhe kryetari i komunës së Suharekës. Ai ia ka dorëzuar peticionin me 11 mijë nënshkrime të qytetarëve kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli. Kërkesa për mbylljen e lojërave të fatit fillimisht nga partia opozitare LDK-ja e më pas e përkrahur nga parti të tjera politike ka ardhur pas dy rasteve të vrasjeve brenda objekteve të kazinove në Suharekë dhe në Lipjan. Ndryshe, kryeministri Haradinaj ka folur edhe për tërheqjen e Shqipërisë nga marrëveshja për heqjen graduale të kufirit me Kosovën. Ai e ka arsyetuar këtë me obligimet që ka marrë pas liberalizimit të vizave./abcnews.al

