KOSOVË- Edhe në përpjekjen e fundit, që erdhi rreth tetë orë pas asaj parapake, deputetët e zgjedhur të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës dështuan në tentimin për ta konstituuar Kuvendin.
Kjo seancë, e cila dështoi ende pa nisur mirë, ishte përpjekja e 54-të e Kuvendit të Kosovës.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, konfirmoi se 103 deputetë ishin të pranishëm në seancë, por prapë nuk u mbajt votimi për formimin e komisionit të fshehtë parlamentar për zgjedhjen e Kryeparlamentarit.
Kështu, nga nesër (27 korrik) hyn në fuqi masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese, e cila ndalon deputetët të marrin çdo vendim apo ndërmarrin veprime pas kalimit të afatit 30-ditor për konstituim, të përcaktuar me aktgjykimin e 26 qershorit.
Kjo ndalesë do të jetë në fuqi nga 27 korriku deri më 8 gusht. Gjatë kësaj periudhe pritet një vendim i Gjykatës Kushtetueses për zgjidhjen e ngërçit politik, që vijon prej muajsh./abcnews.al

