Kosovë, krerët e shtetit përplasen për kufijtë

schedule17:21 - 7 Gusht, 2018

schedule 17:21 - 7 Gusht, 2018

Krerët e shtetit të Kosovës kanë vijuar edhe të hënën përplasjet lidhur me opsionin e ndryshimit të kufijve. Ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se kufijtë aktualë i ndryshon vetëm lufta, presidenti Hashim Thaçi ka propozuar një referendum qytetar.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u është përgjigjur sërish atyre që sipas tij, korrigjimin e kufijve në mënyrë paqësore e konsiderojnë ide negative. Përmes një postimi në Facebook, Thaçi ka deklaruar se korrigjimi është mundësia e vetme që Presheva, Bujanovci dhe Medvegja t’i bashkohen Kosovës.

“Që të jem i qartë, unë e kam hedhur poshtë me kohë opsionin e ndarjes dhe të shkëmbimit të territoreve. Unë jam duke folur vetëm për korrigjim të kufirit në mënyrë paqësore dhe në favor të Kosovës. Ndërsa kundërshtarët e këtij propozimi propagandojnë për ndarje dhe shkëmbim të territoreve”, ka thënë Thaçi.

Për kreun e shtetit, në një situatë të tillë nuk mbetet rrugë tjetër veç fuqizimit të vendimmarrjës së qytetarëve, duke iu dhënë atyre mundësinë të shprehen se cili opsion është më i rëndësishëm për vendin. “Prandaj është e domosdoshme që t’iu mundësojmë qytetarëve tanë të drejtën e referendumit, gjë për të cilën jam duke punuar që të bëhet realitet”, ka shtuar Thaçi në postimin e tij.

Reagimi i Thaçit ka ardhur pak pas deklaratës së kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili tha se kufijtë mund të ndryshohen vetëm me luftë. “Kufijtë janë vendosur me luftë dhe vetëm lufta i lëviz. Kush mendon se kufijtë mund të lëvizen ndryshe, gabon”, deklaroi Haradinaj.

Duke folur rreth mundësisë që Presheva t’i bashkohet Kosovës, Haradinaj ritheksoi faktin se kufijtë tashmë janë të vendosur dhe ata nuk mund të ndryshohen. “Do të kisha shumë dëshirë që Kosovës t’i bashkoheshin të gjitha territoret ku ka shqiptarë dhe kjo nuk diskutohet, por kufijtë ekzistues janë vendosur nga lufta dhe mijëra njerëz janë sakrifikuar për këtë”, tha Haradinaj. Në këto kushte, ka vijuar kreu i qeverisë, e vetmja gjë që ka mbetur është njohja reciproke me kufijtë aktualë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!