Kosovë, Komunat nuk pranojnë orën policore dhe mbajtjen e maskës në rrugë

schedule14:35 - 26 Tetor, 2021

schedule 14:35 - 26 Tetor, 2021

Asociacioni i Komunave të Kosovës nuk po pajtohet me masat anti-Covid të vendosura nga Qeveria e Kosovës, raporton Express

Drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se në takimin e fundit me ushtruesen e detyrës së ministrit të Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, komunat kanë kërkuar të largohet tërësisht kufizimi i lirisë së lëvizjes, si dhe maska kur një person është i vetëm në rrugë.

Por, këto kërkesa të AKK-së nuk janë aprovuar nga Ministria e Shëndetësisë.

“Takimi ka qenë informues, jo koordinues. Ne kemi kërkuar të hiqet kufizimi i lirisë së lëvizjes si dhe mbajtja e maskës në ambiente të jashtme, kur një person është i vetëm në rrugë. Është e palogjikshme që maska të mbahet në ambient të jashtëm, kur një person është i vetëm në rrugë. Po ashtu kjo vlen edhe për të imunizuarit”, ka deklaruar Ibrahimi.

Ibrahimi tha se ia kanë dërguar Gexha-Bunjakut një listë me shtetet në të cilat nuk ka kufizim të lëvizjes dhe qytetarët obligohen ta mbajnë maskën vetëm në ambiente të mbyllura.

“Ne e kemi përpiluar një listë me shtetet ku nuk ka orë policore e as maskë në ambiente të jashtme. Në Shqipëri maskat mbahen vetëm në ambiente të mbyllura, nuk ka orë policore. Në Bullgari maskat janë obligim vetëm për stafin e lokaleve në ambient të mbyllur, nuk ka orë policore, nuk ka pasur asnjëherë. Në Kroaci maskat janë të obligueshme vetëm në ambient të mbyllur, nuk ka dhe nuk ka pasur asnjëherë orë policore. Në Serbi maskat vetëm në ambiente të mbyllura, nuk ka orë policore. Njëjtë është edhe në Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Moldovë, Slloveni. Në Rumani për momentin maskat nuk janë obligative dhe nuk ka orë policore”, ka deklaruar Ibrahimi.

Qeveria e Kosovës të shtunën, më 23 tetor, ka miratuar masat e reja anti-Covid.

Me masat e reja, lokalet e gastronomisë lejohen të punojnë deri në orën 23:00, ndërkaq qytetarët janë të lirë të lëvizin nga ora 05:00 e mëngjesit deri në orën 00:00./GazetaExpress/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!