Një aksion i paparalajmëruar i inspektorëve shtetërorë në fabrikën e qumështit “Vita” në Istog ka përfunduar me mbylljen e përkohshme të aktivitetit të saj, duke hapur debat për mënyrën e zhvillimit të kontrolleve dhe ndikimin ekonomik te punëtorët dhe fermerët.
Sipas raportimeve nga vendi i ngjarjes, gjatë kontrollit në ambientet e qumështores kanë qenë të pranishëm inspektorë të institucioneve përkatëse, ndërsa në mesin e tyre janë përmendur edhe disa emra zyrtarësh dhe inspektorësh, përfshirë Elma Krasniqi, ish-asistente ekzekutive e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila është punësuar si inspektore në vitin 2024, si dhe pjesëmarrja e aktivistit Fitim Gashi.
Pas përfundimit të inspektimit, bordi i kompanisë ka vendosur pezullimin e aktivitetit për të paktën shtatë ditë, deri në një vendim tjetër.
“Ne kemi marrë vendim si bord që ta mbyllim. Ky është vendimi më i rëndë. Ta mbyllim deri në një vendim tjetër, të paktën për 7 ditë. Këta të ministrisë nuk brengosen, ndërsa punëtorët mbesin pa paga dhe fermerët do të detyrohen të hedhin qumështin,” është shprehur drejtori i kompanisë, Artan Spahija.
Sipas tij, inspektorët kanë kërkuar sqarime lidhur me uljen e sasisë së qumështit të pranuar nga prodhuesit, çështje që dyshohet se ka qenë një nga pikat kryesore të tensionit gjatë kontrollit.



