Isa Mustafa është rizgjedhur kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës në një garë pa rivalë. Procesi i votimit është kritikuar ashpër nga anëtarët e partisë, Fatmir Sejdiu dhe Melihate Tërmkolli, ndërkohë që vetë Mustafa ka deklaruar se prioriteti i tij janë zgjedhjet e jashtëzakonshme, ku partitë duhet të garojnë të vetme.
Isa Mustafa është rizgjedhur në krye të LDK-së për herë të tretë radhazi në Kuvendin e nëntë zgjedhor të kësaj partie. Me të rimarrë pozitën, Mustafa tha se procesi zgjedhor ishte demokratik, edhe pse në të nuk kishte asnjë kandidat rival. Ai u bëri thirrje të gjitha partive politike që në zgjedhjet e jashtëzakonshme të garojnë të vetme, ndërsa ftoi për unitet partinë që udhëheq.
Sinkron Isa Mustafa, kryetar i LDK-së: “Hyjmë në zgjedhje, të garojmë. U kam bërë ftesë partive politike që të hyjmë një nga një që të matemi përpara opinionit. Pastaj është faza e dytë që mund të na bashkojë përmes programit ekonomik, të shëndetësisë dhe ai i integrimit euro-atlantik”.
Më të pakënaqurit për rizgjedhjen e Mustafës ishin Fatmir Sejdiu e Melihate Tërmkolli.
FatmirSejdiu, LDK: “Në një mënyrë kaq të egër, djallëzore dhe perfide organizohet një kuvend nga i cili pritej të reflektonte për kohën kur jemi përpara sfidave të mëdha, që cënojnë integritetin e vendit, është një luks i madh. Me këtë bëhet një sulm i madh në shpresën e një subjekti politik që synon të fitojë elektoratin”.
Ndërsa Melihate Tërmkolli e ka quajtur Mustafën njeri të Rrahman Morinës.
Melihate Tërmkolli, LDK: “As në komunizëm nuk ka ndodhur kështu. Por në krye të LDK-së kemi një njeri të Rrahman Morinës ndaj kjo nuk është shumë e çuditshme”.
Ndërkohë, pas rizgjedhjes së Mustafës ka dhënë dorëheqjen nga të gjitha strukturat e LDK-së anëtari i saj Shpejtim Bulliqi. Kuvendi zgjedhor i Lidhjes Demokratike të Kosovës u mbajt me dyer të mbyllura./ABC News Albania 24/7