Kosovë, EULEX reagon për akuzat e gjyqtarit Simmons

schedule20:39 - 16 Nëntor, 2017

schedule 20:39 - 16 Nëntor, 2017

EULEX ka reaguar pas akuzave të rënda për korrupsion që erdhën nga një ish-gjyqtar i tyre. Misioni Ndërkombëtar në Kosovë thotë se Malcolm Simmons ishte nën hetim për akuza të rënda ndaj tij.

EULEX ka reaguar përmes një komunikate për media për rastin e gjyqtarit të tyre, Malcolm Simmons, i cili dha dorëheqje nga kjo pozitë, duke hedhur akuza të rënda për korrupsion brenda misionit europian në Kosovë. EULEX ka deklaruare se vitin e kaluar, Simmons ka qenë objekt i disa hetimeve të pavarura në lidhje me disa pretendime të rënda kundër tij. Misioni ndërkombëtar thotë se akuzat e gjyqtarit janë hetuar nga një ekip, i cili është krijuar dhe që ndodhet në Bruksel, i kryesuar nga një ish-gjyqtar i Gjykatës Europiane të Drejtësisë.
“Këto pretendime janë në faza të ndryshme të hetimeve, kurse disa prej tyre janë dërguar në një Bord Disiplinor dhe tani janë në pritje të vendimit të këtij Bordi. Të tjerat janë në vijim e sipër”, thotë EULEX.

Në intervistën e publikuar në median franceze “Le Monde”, gjyqtari Simmons ka thënë se EULEX-i donte ta shkatërronte një pjesë të klasës politike kosovare, siç ishte Fatmir Limaj (ish-komandanti i UÇK-së). Më tej ai nënvizon se EULEX nuk është misioni i promovimit të sundimit të ligjit, por është mision politik.
Për këto polemika ka reaguar edhe Bashkimi Europian. “Akuzat janë hetuar nga një gjyqtar i pavarur dhe disa nga të gjeturat janë pranuar në bordin disiplinues dhe dua të theksoj se të gjitha procedurat e parapara në kod janë ndjekur me përpikëri. Nuk mund të flas enkas për ndonjë akuzë dhe për hetimet që po vazhdojnë”, është shprehur Maja Kocijançiç, zëdhënëse e përfaqësuese së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!