Kosovë, ende asnjë pistë për vrasjen e Ivanoviç

schedule22:13 - 6 Shkurt, 2018

schedule 22:13 - 6 Shkurt, 2018

Autoritetet në Prishtinë janë ende larg zbardhjes së vrasjes së liderit të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviç. Ndërkohë, ato akuzojnë homologët serbë se nuk po bashkëpunojnë për mbledhjen e informacionit.

Autoritetet në Kosovë nuk kanë ende një pistë të saktë për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviç, i cili u ekzekutua më 16 janar përpara selisë së partisë së tij në veri të Mitrovicës. Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, i cituar nga “Radio Europa e Lirë”, ka deklaruar se hetimet për këtë çështje po zhvillohen në bashkëpunim me autoritetet serbe.

“Më 5 shkurt kemi bërë gati një dosje me disa nga kriteret e kërkuara nga qeveria e Serbisë, pasi personi i vrarë është edhe shtetas serb, ndaj ata kanë të drejtë të kryejnë hetime paralele në vendin e tyre”, ka thënë Tahiri. Ai ka shtuar se, edhe autoritetet kosovare i kanë drejtuar 4 kërkesa Beogradit, por deri tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Ndërkohë, nga Policia e Kosovës deklarojnë vetëm se mbi vrasjen po punon grupi i posaçëm, nën mbikëqyrjen e Prokurorit të Shtetit.

Nëndrejtori i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti ka thënë po për “Europa e Lirë” se procesi hetimor është intensifikuar. Sipas tij, oficerët janë të fokusuar në mbledhjen e informacionit, provave, dëshmive dhe gjithë elementët e tjerë që mund të shërbejnë për të hedhur dritë mbi ekzekutimin e Ivanoviç./abcnews.al