Kosovë, dënohet serbi për krime lufte, burg për vrasje e shqiptarëve në 1999

schedule12:53 - 26 Dhjetor, 2024

schedule 12:53 - 26 Dhjetor, 2024

Çedomir Aksiç është dënuar me 15 vite burg nga Gjykata Themelore në Prishtinë për krime lufte të kryera në komunën e Shtimes.

Gjykimi ndaj Aksiç është zhvilluar në mungesë dhe ai është dënuar për krime që, sipas aktakuzës, janë kryer në periudhën janar-maj 1999.

Ky është rasti i parë i një gjykimi të tillë, pasi gjykimet në mungesë lejohen me Kodin e ri të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, Çedomir Aksiç, së bashku me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, kishte urdhëruar dëbimin e banorëve në komunën e Shtimes, kishin djegur shtëpitë e të dëbuarve, dhe me pas është akuzuar se ka ekzekutuar një person.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, Aksiç kishte marrë pjesë në vrasjen e shtetasve kosovare Hajriz Brahimit, Hakin Muratit, Sabri Muratit, Arif Muratit, Ahmet Mustafes, Sadik Mujotës, Skënder Halitit dhe Hanumshahe Mujotës, në Reçak.

Sipas aktakuzës, Aksiç është i lindur në Shtime, por adresa e tij aktuale është në Serbi.

Në luftën e viteve 1998-1999 mbi 13.000 civilë besohet se janë vrarë në Kosovë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur. Të pagjetur, edhe sot e kësaj dite, mbeten mbi 1.600 persona – shumica prej të cilëve shqiptarë.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!