KOSOVË– Policia e Kosovës ka arrestuar Ridvan Muharremin në restorantin e tij, pas bastisjes së mëngjesit të sotëm. Zyrtarët policorë nuk janë deklaruar për mediat pas arrestimit të tij.
Ndërkaq, ky arrestim i Ridvan Muharremit vjen si shkas i skandalit lidhur me rezervat shtetërore, specifikisht me incizimet për vajin.
Policia e Kosovës nisi sot një aksion me kontrolle në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë pas publikimit të një audio përgjimi për skandalin e grurit dhe vajit.
Në këtë audio-përgjim, të publikuar ditë më parë, dëgjohen biseda për pagesa për 9 tonë grurë që duhet të hynin në Kosovë për rezervat e shtetit, por në fakt nuk kanë ardhur kurrë.
Prokuroria Speciale thotë se krahas biznesmenit Muharremi, janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, përkatësisht; drejtori iDivizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara si dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica.
Njoftimi i Prokurorisë:
Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës – Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka realizuar sot bastisje në lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku kanë arrestuar biznesmenin Ridvan Muharremi, drejtorin e Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara si dhe drejtorin e Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica.
Prokuroria Speciale deklaroi se tre personat e arrestuar dyshohen për veprat “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, si dhe “Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare”./abcnews.al


