Kosovë, 25 vjet nga rënia heroike e familjes Jashari

schedule08:26 - 5 Mars, 2023

schedule 08:26 - 5 Mars, 2023

KOSOVË- Sulmin e gjerë që e kishte ndërmarrë Serbia në Drenicë për të zhdukur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e kishte koncentruar në Prekaz, në zemrën dhe kokën e UÇK-së, duke i bërë asaj një rrethim të hekurt.

Ajo që kishte ndodhur në fillimet e marsit të vitit 1998 ka qenë një dëshmi e gjallë për botën e qytetëruar dhe përgjegjësit e saj politik e diplomatik. Në të vërtetë kjo ngjarje aq e drejtpërdrejtë dhe aq e fuqishme për nga përmasat e saj të flijimit unikat, të qëndresës e të masakrimit, ka ngritur çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore. Kështu, në natën e 4 e 5 marsit të vitit 1998, Prekazi ishte rrethuar nga forcat e shumta ushtarake dhe policore. Kjo kishte lënë të kuptohej se atje do të kishte rrethim të hekurt.

Pikërisht, më 5 mars bëhen 25 vjet të rënies së komandantit legjendar, Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë. Mirëpo, çdo përvjetor Adem Jasharin e bënë më të lavdishëm në historinë e kombit tonë.

Me aktin e rënies së komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë, Kosova kishte mundur frikën me çka i kishte hapur shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë. Dhe jo rastësisht, në Prekaz, në Lagjen e Jasharëve ishte ngritur monumenti më i madh i luftës për liri, për pavarësi e demokraci, që këto ditë dhe data, e pikërisht 5,6,7 mars për çdo vit vëmendja e të gjithë kombit shqiptar kthehet nga Prekazi, që shekuj e vite i kishte dhënë shumë Kosovës.

Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica kishin qenë të rrethuar nga forcat paramilitare serbe. Synimi kishte qenë vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën që ishin duke ia bërë regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Më 30 dhjetor të vitit 1991, ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari. Ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kishin kryer në muajin janar, 1998. Më 22 janar, forcat serbe kishin sulmuar familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kishin rezistuar. Megjithatë, në këtë betejë që kishte zgjatur afër 30 minuta, të plagosura kishin mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamëz Jasharit. Pas këtij sulmi, familjes Jashari i kishin shkuar miq, shok e bashkëkombës për t’u solidarizuar me ta. Ata i kishin kërkuar kryefamiljarit Jashari që t’i tërheqin gratë dhe fëmijët nga aty. Por, edhe gratë dhe fëmijët kishin marrë vendimin që të qëndrojnë, duke thënë se “po të vriten djemtë, nuk na vyen jeta të jetojmë” dhe kishin vendosen të qëndronin. Kishin qëndruar për t’i treguar botës se shqiptarët nuk shkojnë askund përtej truallit dhe shtëpive të tyre.

Historia e familjes Jashari dhe eksponatet e saj janë vendosur në Muzeun e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në 25-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit, si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars do të organizojë manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Sot do të nisin homazhet në Prekaz, derisa në Kazermën “Adem Jashari”, në Prishtinë, duke nisur nga ora 12:00 do të zhvillohet ceremonia e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së.

Kurse, nesër do të vazhdojnë homazhet në Prekaz, pastaj Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë solemne, e pasdite do të mbahet Akademi Përkujtimore. Ndërsa, më 7 mars do të zhvillohet nata e zjarreve në Prekaz, si dhe një program artistik në sheshin e Skenderajt. /KP/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!