Qytetarët e Kosovës këtë të dielë u drejtohen qendrave të votimit duke filluar nga ora 07:00 e mëngjesit deri në orën 19:00.
Të gjithë qytetarët me të drejtë vote kanë mundësi t’iu adresohen kutive të votimit për përzgjedhjen e një përbërje të re të Kuvendit të Kosovës.
Komisioni Qëndror Zgjedhor, pritet që në orën 08:00 të mbajë dhe konferencën e parë për këtë të dilë për njoftimin e hapjes së qendrave të votimit. Ndërkaq, në konferencën e pestë të këtij komisioni, do të kumtohen rezultatet preliminare të subjekteve politike, pas mbylljes së kutive të votimit në ora 19:00.
Në zgjedhjet e kaluara, të drejtë votimi kanë gëzuar 1,972,955 qytetarë, teksa 875,721 prej tyre ose 44.39% e qytetarëve e kanë shfrytëzuar të drejtën demokratike për përzgjedhjen e Kuvendit të ri.
Sipas publikimit të KQZ-së për trendët zgjedhore, “për dallim të votimit të rregullt, pjesëmarrja në votime, si total, përmes votimit jo të rregullt (votat me kusht, me postë) ka mbetur i përafërt në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës”.
Ndryshe nga votimi i rregullt, votimi përmes postës nga diaspora ka filluar më 2 shkurt, teksa fletëvotimet janë pranuar nga KQZ’ja më 12 shkurt. Ndërkaq, dje janë pranuar nga ky komision 16 mijë pako me vota nga diaspora në Kosovë, për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Komisioni për Zgjedhjet, kësaj radhe, për herë të parë do të mbajë e vetme zgjedhjet qëndrore, për shkak të mungesës së ndihmës nga misioni i OSBE’së për mbikëqyrjen e procesit zgjedhor.
Për shkak të pandemisë koronavirus, për herë të parë Bashkimi Evropian, nuk do të dërgojë ekipën e saj për vëzhgimin e zgjedhjeve. Mirëpo, stafi i ambasadave dhe vet ambasadorët janë zotuar se do jenë vëzhguesit e procesit të zgjedhjeve, krahas mijëra organizatave jo-qeveritare të Kosovës.
Prokuroria e Shtetit ka caktuar 88 prokurorë, bashkë me 40 zyrtarë nga sistemi prokurorial, që së bashku me Policinë e Kosovës, do mbikëqyrin parregullsitë evidente përgjatë procesit zgjedhor./abcnews.al