Kosova sanksionon 7 persona dhe një kompani për lidhje me grupin ushtarak të Libanit

schedule19:28 - 27 Tetor, 2021

schedule 19:28 - 27 Tetor, 2021

Kosova të mërkurën (27 tetor) ka vendosur sanksione ndaj shtatë individëve dhe kompanisë AID-ar Properties për lidhje me grupin ushtarak të Libanit, Hezbollah.

Vendimi është marrë nga Qeveria e Kosovës. Zëvendëskryeminstrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, tha se sanksionet vendosen “konform Rezolutës 1373 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ndaj shtatë individëve dhe një kompanie për lidhjet e tyre me organizatën terroriste Hezbollah dhe rolin e tyre në rrjetin financiar të saj në Gadishullin Arabik”.

Sanksionet konsistojnë në ngrirjen e aseteve; ndalimin e udhëtimit; dhe ndalimin e vënies në dispozicion të fondeve nga individët dhe entitete në Kosovë.

“Masat e rekomanduara demostrojnë angazhimin e Kosovës si pjesë aktive e aleancave ndërkombëtare kundër terrorizmit dhe të gjitha formave të ekstremizmit të dhunshëm”, tha ministrja Gërvalla, duke shtuar se një vendim i tillë do të kontribuonte ne partneritetin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tjerë të rëndësishëm në mbrojtjen e vlerave të përbashkëta.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Kosova është e angazhuar drejtëpërdrejt në luftën kundër terrorizmit, radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm përmes afirmimit ligjor, qasjes strategjike dhe veprimeve ekzekutive si dhe pjesëmarrjes aktive në Koalicionin Global.

Qeveria e Kosovës me datë 23 qershor 2020 e ka shpallur si organizatë terroriste krahun politik dhe atë ushtarak të Hezbollahut.

Hezbollah, grup shiit i Libanit, ka punuar me Iranin në Lindje të Mesme, prej kur është themeluar më 1982.

Garda Revolucionare e Iranit, e ka themeluar këtë grup më 1982 për të përhapur Revolucionin Islamik dhe për të luftuar forcat izraelite, që kishin pushtuar Libanin po atë vit.

Hezbollah përkrah ideologjinë islamike shiite të Teheranit, dhe e konsideron liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei si udhëzues politik dhe shpirtëror.

E shpallur nga Shtetet e Bashkuara dhe shtete tjera perëndimore si organizatë terroriste, Hezbollah e ka një krah të fuqishëm ushtarak, që e ka pranuar se është i armatosur dhe i financuar nga Irani./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!