Kosova pranon mbi 182 mijë doza të vaksinës nga Norvegjia

schedule13:46 - 3 Korrik, 2021

schedule 13:46 - 3 Korrik, 2021

Ministria e Shëndetësisë njoftoi të shtunën, më 3 korrik, se ka pranuar 182.900 doza të vaksinës AstraZeneca, që janë donacion nga Norvegjia.

“Kontingjenti i vaksinave nga Norvegjia kanë mbërritur në Kosovë përmes transportit të organizuar nga institucionet e Bashkimit Evropian. Kjo mbështetje nga Qeveria norvegjeze, populli norvegjez dhe institucionet e BE-së kanë një rëndësi të madhe për ne, për të cilën shprehim mirënjohjen tonë”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Sipas njoftimit, gjatë pranimit të vaksinave, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka falënderuar Norvegjinë për këtë donacion dhe ka thënë se procesi i imunizimit është forma më e mirë për ta mposhtur sëmundjen COVID-19.

Ndërkaq, ambasadori norvegjez në Prishtinë, Jens Erik Grøndahl ka thënë se është obligim njerëzor “të jemi pranë njëri-tjetrit për të luftuar COVID-19 dhe të sigurohemi që të kemi bashkëpunim sa më të qëndrueshëm”.

Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të regjistrohen dhe të aplikojnë për regjistrim në platformën e-Kosova.

Vaksinimi në Kosovë ka nisur në fund të marsit. Ndërkaq, që nga 15 qershori ka nisur vaksinimi masiv.

Përveç vaksinave që i ka marrë donacion nga Bashkimi Evropian, programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Kroacia dhe Mali i Zi, Kosova po ashtu ka nisur që të pranojë kontingjente nga kontrata që ka me kompaninë Pfizer.

Kosova dhe kompania Pfizer kanë nënshkruar kontratë për sigurimin e 1.2 milion dozave.

Deri më 2 korrik, në Kosovë janë vaksinuar mbi 196 mijë qytetarë, ku prej tyre mbi 47 mijë janë vaksinuar plotësisht (me dy dozat e vaksinës).

Qeveria e Kosovës mëton që deri në fund të vitit të vaksinojë 60 për qind të qytetarëve./VOA/