Kosova paguan koston e abuzimit të lëvizjes së lirë në Shengen nga Shqipëria dhe Gjeorgjia

schedule18:20 - 22 Dhjetor, 2021

schedule 18:20 - 22 Dhjetor, 2021

Nga Erisa Zykaj

Qytetarët e Kosovës nuk do të përfitojnë nga procesi i liberalizimit të vizave së shpejti.

Atyre do t’ju duhet sërish të presin. Burime diplomatike të Bashkimit Evropian kanë treguar, pse çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës nuk do të zgjidhet shpejt. Kjo çështje do të marrë përfundimisht më shumë se gjashtë muaj.

Kjo vonesë nuk ka të bëjë me përmbushjen e kushteve nga ana e qeverisë së Kosovës, por me mosbesimin që është krijuar në gjirin e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për shkak të abuzimit me lëvizjen e lirë afatshkurtër në zonën Shengen nga Shqipëria dhe Gjeorgjia.

Burimet diplomatike të Bashkimit Evropian kanë treguar, se Komisioni Evropian ka raportuar në 2009 për përmbushjen e kushteve nga ana e Shqipërisë në grupin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe më pas Gjeorgjinë në grupin e vendeve të partneritetit të Lindjes.

Por pas liberalizimit të vizave me këto dy vende, disa shtete anëtare janë përballuar me probleme të kërkesave të azilit të pabazuara, persona që kanë qëndruar ilegalisht në territorin e BE-së, si dhe grupe që kanë sjellë probleme të kriminalitetit dhe trafiqeve.

“Kjo e degradoi imazhin e Shqipërisë dhe Gjeorgjisë. U deshën vite që ky imazh të rikuperohej duke negociuar me dy vendet për një bashkëpunim më të fortë për marrëveshjet e riatdhesimit. Disa shtete anëtare frikësohen se do të gjenden përballë tê njëjtës situatë abuzimi me Kosovën” janë shprehur këto burime.

Sipas tyre, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të ndodhë në një moment të caktuar, por disa shtete anëtare kërkojnë garanci për evitimin e abuzimit me lirinë e lëvizjes afatshkurtër në zonën Shengen. Sipas këtyre burimeve, nuk bëhet fjalë për një bllokim, por një proces, që nevojitet të plotësohet. /abcnews.al/