Kosova nuk pritet t’i shpëtojë variantit Omicron

schedule10:59 - 19 Dhjetor, 2021

schedule 10:59 - 19 Dhjetor, 2021

Kosova nuk pritet të shpëtojë nga varianti Omicron i COVID-19 që ka vënë në vështirësi shumë vende të botës. Drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, thotë se mundësia e paraqitjes është evidente pasi edhe rrugët e përhapjes së këtij varianti janë të njëjta sikurse variantet e tjera. Kosova ka dërguar disa mostra për testim në Gjermani, pasi dyshohen të jenë me variantin e ri të COVID-19. Ende janë në pritje për rezultatet.

Mali i Zi është vendi i fundit në rajon që është prekur zyrtarisht nga varianti Omicron. Por, tashmë rrezikon edhe Kosova, sidomos kur në këtë periudhë shtohen lëvizjet e qytetarëve për festa por edhe grumbullimet në ambiente të mbyllura.

Pikërisht, për Krasniqin këto janë arsyeje se pse po vazhdohen që të mbahen në fuqi masat e njëjta anti-COVID.

Është virusi i njëjtë dhe ato çka kemi parë është se çdo variant i paraqitur në shtetet e tjera është se herë ose vonë ka arritur në pothuajse të gjitha shtetet. Mundësia e paraqitjes së Omicronit në Kosovë normalisht që është evidente dhe është e vështirë të paramendohet se nuk do ketë raste edhe në Kosovë pasi po them që virusi është i njëjtë dhe rrugët e përhapjes janë të njëjta”, tha Krasniqi për KosovaPress.

Krasniqi thotë se në Kosovë është një situatë e qetë pandemike, ku vetëm gjatë këtij muaji numri i të hospitalizuarve nuk ka kaluar shifrën 50 pacientë.

“Ka javë të tëra, madje dhe muaj, që është i vogël dhe po përjetojmë një situatë jashtëzakonisht të volitshme pandemike sa i përket pandemisë COVID-19. Si rezultat i kësaj edhe numri i pacientëve të shtrirë në Klinikat e QKUK dhe spitalet ka rënë ndjeshëm prej më shumë se dy muaj numri i pacientëve është nën 100, madje këtë muajin e fundit asnjëherë nuk kemi kaluar mbi 50 pacientë që kanë qenë të shtrirë në klinikat e QKUK dhe spitalet e përgjithshme. Por sigurisht që kjo situatë është rezultat i masave të ndërmarra nga ana e qeverisë dhe institucioneve shëndetësore dhe në veçanti dua të potencoj këtu respektimin dhe zbatimin e masave nga ana e qytetarëve”, u shpreh ai.

Tashmë në vendin tonë jepet edhe doza përforcuese dhe ajo e treta anti-COVID për personat mbi 18 vjeç, prandaj drejtori i SHSKUK-së e konsideron moment të duhur që qytetarët të imunizohen edhe me këto doza të vaksinave.

“Është koha më e mirë që ta shfrytëzojmë tashmë po futemi edhe në sezonin e dimrit edhe më shumë përforcohet nevoja për ta marrë dozën e tretë dhe dozën përforcuese, tashmë njerëzit fillojnë të mbyllen në ambiente të mbyllura, në grupe, qoftë familjare apo edhe më të mëdha, ku rreziku i ekspozimit është më i madh prandaj, po them ta shfrytëzojmë këtë situatë të qetë në mënyrë të vazhdojmë të ruajmë këtë imunitet kolektiv që është formuar qoftë me kalimin e COVID, qoftë edhe me krijimin e imunitetit si rezultat i vaksinimit”, u shpreh Krasniqi.

Krasniqi shpreson që sa më shpejt të miratohet edhe Ligji për paga, pasi siç u shpreh ai, ky ligj është shtylla kryesore për rregullimin e pagave të profesionistëve shëndetësorë dhe trajtimin e tyre në mënyrë të dinjitetshme.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!