Qeveria e Kosovës nuk e pranon përfshirjen e Serbisë në hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviç. Sipas kryeministrit Haradinaj, të drejtën e hetimit për këtë ngjarje e kanë vetëm institucionet e vendit. Ndërsa, homologia Brnabiç është shprehur se Serbia do të bëjë vetë hetime për vrasjen nëse nuk lejohet të perfshihet në hetimin e nisur në Kosovë.
Qeveria e Kosovës nuk e pranon përfshirjen e organeve shtetërore të Serbisë në hetimet që po zhvillohen rreth vrasjes së Oliver Ivanoviçit.
Halil Matoshi nga kabineti i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se shteti i Serbisë nuk ka dërguar ndonjë kërkesë zyrtare për përfshirje në hetime.
Por, siç thotë ai, askush nuk ka të drejtë nga jashtë që të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Republikës së Kosovës, përveç mekanizmave relevantë vendorë dhe ndërkombëtarë, që janë të autorizuar për të siguruar një ambient të sigurtë në Kosovë. Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka ftuar eventualisht FBI-në që të jetë pjesë e hetimeve, për të hequr dilemat,- ka thënë Matoshi.
Vetë Haradinaj, ka bërë të ditur se shteti i Serbisë nuk ka dërguar ndonjë kërkesë zyrtare për përfshirje për hetime, por, sipas tij, është kërkuar shkëmbim i informatave, për çka edhe Kosova është e interesuar. Ai tha se të drejtën për hetime në Kosovë e kanë vetëm institucionet e Kosovës.
Ndërkohë, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, në emër të qeverisë së Serbisë ka thënë se ka një kërkesë që organet serbe të marrin pjesë në hetimet për vrasjen e Ivanoviçit, të cilat po udhëhiqen nga autoritetet e Kosovës. Ajo ka thënë se pret përgjigje nga misionet ndërkombëtare në Kosovë, përkatësisht nga administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX.
“Nëse nuk lejohemi të marrim pjesë, hetimet për vrasjen do i bëjmë vetë”, ka thënë Brnabiç në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë. Por, misioni i EULEX-it në Kosovë, përmes një përgjigje me shkrim ka bërë të ditur se nuk kanë marrë kërkesë nga Serbia.
Autoritetet në Kosovë, ndërkaq, po i vazhdojnë hetimet për këtë rast. Ministria e Punëve të Brendshme, përmes një komunikate për media ka njoftuar se Policia e Kosovës ka identifikuar një numër të shasisë së veturës së djegur, e cila është gjetur në Veri të Mitrovicës dhe e cila besohet se është e involvuar në vrasjen e Oliver Ivanoviçit.
Në njoftim thuhet se si rezultat i bashkëpunimit me një shtet të BE-së, ka rezultuar se vetura në fjalë, që nga viti 2009 ka qenë në një adresë të caktuar në Serbi e po ashtu ka arritur të sigurojë se kujt i është shitur po e njëjta veturë në vitin 2017./abcnews.al