I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar deklaroi se mungesa e formimit të asociacionit në komunat me shumicë serbe ka bërë që Uashingtoni të mos lobojë për integrimin e Kosovës. Duke komentuar këtë deklaratë, analisti Mentor Nazarko e cilësoi si një kërcënim të fortë.
I ftuar në “Special Report” me gazetarin Arlind Isa, ai tha se Albin Kurti kërkon që të “përfitojë” nga zgjedhjet evropiane dhe më pas ata amerikane për t’u forcuar politikisht së brendshmi.
“Ky është një kërcënim i fortë por për dikë që ka marrë disa dënime të rënda, për një të burgosur, po bëjmë një paralele me dënimet me burg që merr një i pandehur individual, për dikë që ka marrë disa dënime të përjetshme nuk është asnjë lloj problemi se i shtohet edhe një tjetër. Kështu që zoti Kurti, i cili është nën presion të madh nga të gjitha anët, nga të gjitha shtetet më aleate të Kosovës, jo vetëm nga SHBA, por edhe nga Franca, Gjermania dhe Italia, nuk e ndjen një presion të tillë.
Për më shumë ai mendon se në këtë periudhë kohe, midis përfundimit të zgjedhjeve evropiane, ku mund të ketë ardhje të së djathtës, dhe fillimit të zgjedhjeve amerikane, është një periudhë e mirë që ai të konfirmohet në pushtet dhe për pasojë në rast të ardhjes së Trump, të ndihet më i fuqishëm politikisht së brendshmi që të përballojë një cikël të ri presionesh që vijnë nga republikanët.
Kjo thënie nga Escobar, i cili ka qenë subjekt i një lloj persekutimi gazetaresk nga qarqe afër Kurtit si një njeri i lidhur me Serbinë, nuk sjell asnjë ndryshim në atë që është qasja zyrtare e Kosovës. Kosova nuk po tregohet bashkëpunuese në kuadër të mbledhjes së Këshillit të Evropës, e cila nuk e mori në shqyrtim rekomandimin e asamblesë parlamentare që t’i hapet drita jeshile për anëtarësim, hap i jashtëzakonshëm për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.”, tha Nazarko.
Një koment bëri edhe për deklaratën e kryeministrit Edi Rama një ditë më parë në samitin e Kotorrit, ku deklaroi se në vitin 2027, Shqipëria do të jetë gati për anëtarësim në BE.
“Besoj që është i arritshëm por ky lajm vjen pas vendimit dhe të KE dhe të parlamentit evropian që t’i destinojë këto fonde në kuadër të programit të integrimit të vendeve të Ballkanit por duhet theksuar lidhur me në kontekstin kohor kur u zhvillua samiti i Kotorit është fakti që jemi në prag të zgjedhjeve evropiane, po ashtu SHBA kanë hyrë në fushatë para zgjedhore. Kështu që në këtë kuptim intensiteti i presionit që zhvillohet mbi ta nga këto dy qendra të rëndësishme të vendimmarrjes botërore është më i ulët.
Kështu që duhet kuptuar që është vështirë se do të kemi zhvillime pozitive. Për më shumë, në BE pritet që e djathta të ketë më shumë terren, e cila është skeptike për integrimin, kështu që këto janë objektiva që duhen marrë me rezervë nisur nga pritshmëritë për zgjedhjet qoftë evropiane apo amerikane. Vendet e Ballkanit janë të vetëdijshme për këto. Po të marrim Kosovën, Kurti i cili në përfundim të mandatit të Trump, iu bëri thirrje shqiptarëve të Amerikës që të votojnë presidentin Biden, pretendoi që me Biden, dialogu do të kishte zhvillim të favorshëm për Kosovën. Sot 4 vite më pas, ai ka një bilanc që është kritikuar sistematikisht nga kjo administratë. Pra, fakti që kemi ndryshim të administratës qoftë në BE apo SHBA është një faktor që mbahet parasysh nga vendet e Ballkanit, posaçërisht Kosova, e cila dhe mund t’i imagjinojë të zhvillojë zgjedhje midis përfundimit të zgjedhjeve evropiane dhe fillimit të atyre amerikane.“, tha Nazarko. /abcnews.al