“Kosova nuk gjen asgjëkund një mik si Turqia”, Rama: Dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë

schedule14:42 - 10 Tetor, 2024

schedule 14:42 - 10 Tetor, 2024

Kryeministri Edi Rama, në deklaratën e përbashkët për shtyp me presidentin turk Erdogan, përmendi edhe faktin se Turqia ka qenë një ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës. Ai tha se Kosova nuk do të ketë asnjëherë një mik më të çmuar dhe të padiskutueshëm sesa Turqia.

Ai tha se dialogu Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë dhe marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të përmirësohen.

“E sjell këtë në vëmendje për t’ju kujtuar të gjithëve një fakt historik. Republika e Turqisë, kur Erdogan ishte kryeministër, e ka njohur Kosovën e para. Nuk ka qenë një njohje e Kosovës e para thjesht zyrtare dhe diplomatike. Ka qenë njohje në kohë reale, në sinkron me punimet e parlamentit të Kosovës dhe kur në televizor përpara të cilit ishte mbledhur e gjithë qeveria me atëherë kryeministrin dhe sot presidentin, deputetët e Kosovës kanë ngritur dorën për të miratuar pavarësinë, qeveria e Turqisë ka njohur Kosovën. Një mik më të padiskutueshëm në të gjitha ditët sesa Turqia dhe presidenti, republika e Kosovës nuk e gjen dot asgjëkundi. Ne ndajmë shqetësimin që situata mes të dyja shteteve duhet të përmirësohet dhe se dialogu duhet të prevalojë. E them këtë përpara një personaliteti që dialogun e ka pasur dhe e ka mjetin më të zakonshëm të punës me të gjithë dhe gjithmonë.”, tha Rama./abcnews.al