Kosova ndërmerr nisma ligjore kundër Serbisë

schedule19:00 - 19 Prill, 2019

schedule 19:00 - 19 Prill, 2019

Institucionet në Prishtinë kanë ndërmarrë një seri iniciativash për të reaguar ndaj mohimit që Serbia u bën krimeve të luftës në Kosovë. Parlamenti i Kosovës u ka kërkuar Parlamenteve të vendeve mike që të hartojnë rezoluta në mënyrë që të njohin genocidin e shtetit serb ndaj popullsisë shqiptare.

Mohimi i krimeve të luftës nga Serbia ka shtyrë institucionet e Kosovës që të ndërmarrin një sërë iniciativash. Kryetari i Parlamentit të Kosovës Kadri Veseli u ka dërguar letër parlamenteve të vendeve mike, për të kërkuar prej tyre hartimin e rezolutave që në mënyrë zyrtare njohin rolin e shtetit serb si shkaktar i krimeve kundër njerëzimit në Kosovë. Veseli gjithashtu do të kërkojë nga vendet mike të dënojnë çdo përpjekje për ta mohuar apo ndryshuar atë pjesë të errët dhe të dhimbshme të historisë bashkëkohore evropiane. Iniciativën e Veselit e ka mirëpritur edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj. Ai ka thënë se në këso raste duhet të jemi unik dhe se në Kosovë kanë ndodhur krime makabre.

Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës:  “Për këtë është e rëndësishme të jemi unikë sepse kjo është një temë që buron nga e drejta e viktimave, e drejta humane. Duhet të mbrohet e drejta e asaj që ka ndodhur pasi janë krime makabre”.

Ndërsa zv.kryeministri Enver Hoxhaj dhe ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri kanë njoftuar për hapat që kanë ndërmarrë për hartimin e një projektligji për parandalimin e mohimit të krimeve të luftës.

Enver Hoxhaj, zv.kryeministër i Kosovës: “Në draftimin e këtij ligji ne do marrim për bazë përvojat më të mira evropiane, se si në kulturën evropiane ligjore e politike janë parandaluar raste të tilla të mohimit të krimeve”.

Abelard Tahiri, ministër i Drejtësisë:Përgjatë këtyre viteve ne nuk e kemi parë drejtësinë të shkojë në vend për krimet që janë bërë ndaj popullsisë shqiptare në vitet 98-99”.

Krerët e shtetit serb dhe ish ministri serb në qeverinë e Kosovës kanë mohuar masakrat në Kosovë. Lidhur me këtë janë deklaruar edhe miqtë ndërkombëtarë, përfshirë Ambasadën e Amerikës dhe atë të Britanisë së Madhe të cilët kanë thënë se mohimi i mizorive të luftës në Kosovë ofendon kujtimet për viktimat dhe minon përparimin në ndërtimin e një shteti demokratik dhe shumetnik./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!