Kosova më pranë lëvizjes së lirë, votohet pro liberalizimit të vizave

schedule10:13 - 30 Gusht, 2018

schedule 10:13 - 30 Gusht, 2018

Komiteti për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme i Parlamentit Evropian ka votuar pro liberalizimit të vizave për Kosovën. Ky vendim i hap rrugë fillimit të negociatave mes Parlamentit Evropian dhe Këshillit, për të vazhduar më pas me procedurat tjera të vendimmarjes.

Komiteti i Parlamentit Europian për Liri Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme ka miratuar raportin e Tanja Fajon për të proceduar më tutje në procesin e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës. Komiteti i Parlamentit Evropian votoi për liberalizimin e vizave për Kosovën, me 30 vota pro, 10 kundër dhe 2 abstenim. Para se të votohej, raportuesja Tanja Fajon e ka shfrytëzuar të drejtën për të folur, duke kërkuar votë pozitive, pasi sipas saj, Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara, të cilat mund të thuhet se në këtë rast kanë qenë më të larta se në cilindo rast tjetër. Por kjo votë pozitive në Komitetin LIBE paraqet vetëm njërin nga hapat drejt përafrimit për heqjen e vizave për kosovarët.

Në një dokument të publikuar nga Klan Kosova tregohet se kosovarët, në fund të vitit eventualisht në fillim të vitit të ardhshëm, pritet që të mund të lëvizin lirshëm, pa viza. Pas shpalljes së përfundimit të të gjitha kushteve për Kosovën nga Komisioni Evropian, nga muaji Korrik deri në Shtator pritet që Këshilli i Bashkimit Evropian të diskutojë për raportin e pozicionit negociues të Këshillit. Diskutimet pritet të bëhen në Grupet Punuese për Ballkanin dhe ato për Punë të Brendshme.

Paralelisht me procedurën në Parlament Evropian mund të fillojnë edhe diskutimet në Këshill për të marrë mandatin për trialog. Vendosjen në agjendë e bënë Presidenca aktuale e BE-së. Pas kësaj pritet që Këshilli i Bashkimit Evropian ta miratojë pozicionin negociues të Këshillit. Ky akt votohet në nivel të ambasadorëve dhe i nevojitet shumica e kualifikuar prej 55 %. Më pas, pritet të mbahet diskutimi mes Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Bashkimit Evropian ku duhet të pajtohen për votimet përfundimtare.

Nëse dakordohen të tri institucionet, pritet që në fillim të muajit tetor të jetë votimi në seancë plenare të Parlamentit Evropian. Pas votimit në Parlamentin Evropian që duhet të jetë me shumicë të thjeshtë, duhet të bëhet votimi në Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të BE-së në Bruksel (COREPER) që planifikohet të ndodhë në muajin tetor ose nëntor. Vetëm një javë pas votimit nga ky Komitet, pritet që vendimi për liberalizimin e vizave për kosovarët të votohet përsëri nga Këshilli i Bashkimit Evropian, por tani në nivel të Ministrave të Brendshëm, që është edhe votimi përfundimtar. Nëse nga këtu, ky proces merr dritën e gjelbër, gjatë periudhës Nëntor–Dhjetor, gjithçka që mbetet është ceremonia e nënshkrimit dhe publikimi i vendimit në Gazetën Zyrtare dhe hyrja në fuqi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!